Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, tha se nëse shteti i saj ndërmerr hapin historik për të aplikuar për anëtarësim në NATO, kjo do të bëhej për sigurinë e qytetarëve të saj dhe po ashtu do të forconte komunitetin ndërkombëtar.
Marin i bëri këto deklarata më 11 maj pas një takimi me kryeministrin japonez, Fumio Kishida, në Tokio, një ditë para se presidenti finlandez, Sauli Niinisto, të kumtojë vendimin nëse shteti i tij, që kufizohet me Rusinë, do të aplikojë për anëtarësim në NATO.
Pushtimi rus i Ukrainës ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë që të mendojnë për aplikim për anëtarësim në NATO, duke braktisur besimin e mbajtur me dekada se paqja mbahet duke mos mbajtur publikisht anë. Të dy shtetet kanë marrë pjesë për vite me radhë në stërvitjet e aleancës ushtarake.
“I tregova kryeministrit Kishida për planet tona për mundësinë e aplikimit në NATO”, tha Marin gjatë konferencës për media në Tokio.
“Nëse Finlanda ndërmerr këtë hap historik do të jetë për sigurinë e qytetarëve të saj. Anëtarësimi në NATO do të forconte të gjithë komunitetin ndërkombëtar me të cilin ndajmë vlera të përbashkëta”, shtoi ajo.
Marin tha se veprimet e Rusisë në Ukrainë haptazi shkelin ligjin ndërkombëtar dhe kartën e Kombeve të Bashkuara.
“Mizoritë kundër civilëve po vazhdojnë”, tha ajo.
Rusia mohon se forcat e saj kryejnë krime kundër civilëve në Ukrainë, qëkur Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj më 24 shkurt./REL
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi ës...
Pse Sara i kërkoi falje Drilonit?
Sekuestrohen 76 kilogramë drogë në Itali/ Dy të arrestuar, n...
Sot duelet finale të turneut ‘Adem Jashari’
Stjuardesa e ‘British Airways’ përballet me shkarkimin nga p...