Kryeministri sllovak Fico ende në gjendje “shumë të rëndë” pas ndërhyrjes kirurgjikale

15:09 | 16 Maj 2024
E.G

Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico është në “gjendje shumë të rëndë”, por të qëndrueshme, njoftuan sot autoritetet spitalore, një ditë pasi u qëllua 5 herë me armë zjarri në një tentativë për ta vrarë, e cila ka nxjerrë në pah ndasitë e thella politike në vend.

Atentati i djeshëm shënoi përpjekjen e parë për vrasjen e një udhëheqësi politik evropian në 20 e vitet e fundit dhe u dënua nga shumë udhëheqës ndërkombëtarë. Analistë politikë dhe ligjvënës thonë se atentati është tregues i një klime politike gjithnjë e më të të polarizuar në kontinentin evropian.

Presidentja sllovake Zuzana Caputova bëri thirrje për uljen e tensioneve politike dhe tha se do të ftojë të gjithë drejtuesit e partive parlamentare për një takim të përbashkët. Aleati i zotit Fico dhe presidenti i zgjedhur Peter Pellegrini u kërkoi partive të pezullojnë ose të zbusin tonet e fushatës për zgjedhjet për Parlamentit Evropian që do të mbahen muajin e ardhshëm.

“Nëse ka diçka që i duhet urgjentisht Sllovakisë sot është konsensusi dhe uniteti mes përfaqësuesve politike”, tha zoti Pellegrini, i cili fitoi zgjedhjet e muajit prill për postin e Presidentit, një rol kryesisht ceremonial.

Agjencia sllovake e lajmeve ‘tvnoviny.sk’ njoftoi të enjten se ndaj autorit të dyshuar për atentatin është ngritur akuza për tentativë vrasjesje dhe se ai mund të përballet me dënim deri në burg të përjetshëm.

Drejtorja e spitalit universitar F .D. Roosevelt në qytetin Banska Bystrica ku është shtruar zoti Fico tha se kryeministri 59 vjeçar iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale e cila zgjati 5 orë, ku u përfshinë dy ekipe mjekësore, për të trajtuar plagët si pasojë e disa goditjeve me armë zjarri.

“Aktualisht gjendja e tij është e qëndrueshme, por realisht shumë e rëndë dhe ai do të vazhdojë të qëndrojë në reanimacion”, u tha ajo gazetarëve./voa/

Të ngjashme