Kryeministri i Sri Lankës urdhëron ushtrinë: Rivendosni rendin

08:31 | 14 Korrik 2022
Fjolla Bajraktari

Teksa vijon situata dramatike në Sri Lanka, ku protestuesit kanë thyer portat dhe kanë hyrë brenda kryeministrisë, duke “pushtuar” institucionin, kryeministri i vendit, Ranil Wickremesinghe, ka urdhëruar ushtrinë të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të rivendosur rendin, shkruan BBC.

Aktualisht, Wickremesinghe është emëruar President në detyrë, pas dorëheqjes dhe arratisjes në Maldive të Presidentit Gotabaya Rajapaksa, për shkak të protestave masive që shpërthyen në vend, si pasojë e krizës.

Por, vendimi për të lënë kryeministrin në krye të shtetit shkaktoi protesta të mëtejshme edhe më masive, pasi banorët e Sri Lankës kërkojnë edhe dorëheqjen e tij. Sri Lanka ka vuajtur nga kriza më e rëndë ekonomike ndër dekada, dhe për këtë vendasit fajësojnë administratën Rajapaksa, ndërsa shohin si pjesë të problemit edhe kryeministrin.

Të mërkurën, për herë të dytë në më pak se një javë, protestuesit hynë në një ndërtesë shtetërore shumë të sigurt. Këtë herë ishte kryeministria. Duke bërë jehonë të skenave të mëparshme gjatë fundjavës së rezidencës zyrtare të presidentit të pushtuar , njerëzit në zyrën e kryeministrit u ulën në divane duke shkrepur foto, ndërsa të tjerët u ulën në karrige.

Në një fjalim televiziv, Wickremesinghe u bëri thirrje protestuesve të largohen nga zyra e tij dhe ndërtesat e tjera shtetërore dhe të bashkëpunojnë me autoritetet.

“Ne nuk mund të shkelim kushtetutën tonë. Nuk mund të lejojmë që fashistët të marrin pushtetin. Ne duhet t’i japim fund këtij kërcënimi fashist ndaj demokracisë,” tha ai./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme