Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez i hodhi poshtë pretendimet se bashkëshortja e tij është e përfshirë në korrupsion, por tha se po shqyrton mundësinë të japë dorëheqjen.
Ky zhvillim erdhi pas fillimit të hetimeve të mërkurën rreth akuzave të bëra në një platformë ligjore të krahut të djathtë se bashkëshortja e Kryeministrit Sanchez kishte shfrytëzuar pozitën e saj për të ndikuar tek disa marrëveshje biznesi.
Kryeministi Sanchez u shreh në një postimi në rrjetin social X, se ndonëse akuzat ndaj bashkëshortes së tij, Begona Gomez, janë të rreme, ai po anulonte angazhimet publike deri të hënën, kur do të njoftojë nëse do të vazhdojë të qëndrojë në pozitën e kryeministrit apo do të japë dorëheqjen.
“Më duhet të ndalem dhe të reflektoj,” shkroi zoti Sanchez. “Më duhet t’i përgjigjem pyetjes nëse ia vlen të vazhdoj, duke marr parasysh që e djathta dhe e djathta e vijës së ashpër e kanë shndërruar në llum politikën tonë, nëse duhet të vazhdoj në krye të qeverisë apo të heq dorë nga nderi më i lartë.”
Zoti Sanchez, 52 vjeç, ka shërbyer si kryeministër i Spanjës që nga viti 2018. Ai arriti të formojë një qeveri të koalicionit të krahut të majtë në nëntor për të filluar edhe një mandat të ri katër vjeçar. Ai është njëri nga udhëheqësit socialist që ka qëndruar më gjati në pushtet në Evropë.
Një gjykatës spanjoll ra dakord të mërkurën që të hetojë pretendimet për korrupsion të ngritura nga një grup privat që ka një histori të gjatë të paraqitjes së padive, që lidhen kryesisht me kauza të krahut të djathtë. Gjykata në Madrid do të shqyrtojë akuzat dhe do të vendosë për t’i vazhduar hetimet apo jo.
“Begona do të mbrojë nderin e saj dhe do të bashkëpunojë me sistemin e drejtësisë në çdo formë që kërkohet për të sqaruar që këto fakte që duken skandaloze nuk ekzistojnë në fakt,”deklaroi Kryeministri Sanchez.
Zonja Gomez, 49 vjeçe, nuk ka mban ndonjë post publike dhe ruan një profil të ulët politik.
Grupi Manos Limpias, apo “Duart e Pastërta”, e akuzon zonjën Gomez se gjoja ka shfrytëzuar pozitën e saj për të ndikuar në marrëveshje biznesi. Gjykata nuk ka dhënë informacione shtesë dhe theksoi se hetimi është sekret.
Ky grup e përshkruan veten si union, por aktiviteti i tij kryesor është një platformë që nxit raste ligjore. Shumë e lidhin atë me kauzat e krahut të djathtë. Grupi vepron në bazë të “përndjekjes popullore”, një ligj specifik i Spanjës që u lejon individëve dhe entiteteve të marrin pjesë në raste të veçanta penale edhe kur nuk janë dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pala e akuzuar.
Ministri i Drejtësisë, Felix Bolanos i quajti pretendimet “të rreme.”
Zëvendëskryeministrja Yolanda Diaz publikisht e mbështeti zotin Sanchez kundër “kësaj ofensive nga e djathta”, siç u shpreh ajo.
Gjasat për një krizë qeveritare vijnë vetëm disa javë para zgjedhjeve të rëndësishme rajonale në Katalonia, pas të cilave do të mbahen zgjedhjet evropiane në muajin qershor.
Kryeministri Sanchez akuzoi portalet e lajmeve që janë të rreshtuara politikisht me partinë kryesore opozitare konservatore, Partinë Popullore dhe partinë e djathtë Vox, se po shpërndajnë ato, që ai i quajti pretendime “të rreme”, që çuan drejt fillimit të hetimeve.
Partia Popullore e kritizoin zotin Sanchez se “po luan rolin e viktimës në vend që të marr përgjegjësinë.”
Muajin e kaluar, agjencia qeveritare spanjolle që shqyrton çështjet e konfliktit të interesit, hodhi poshtë një ankesë të bërë nga Partia Popullore kundër zotit Sanchez, në të cilën kjo parti opozitare pretendoi se zonja Gomez ka ndikuar tek bashkëshorti i saj në një vendim që lidhet me një linjë ajrore.
Udhëheqësi i Spanjës tha se dashuria ndaj bashkëshortes së tij e shtyu të reflektojë mbi të ardhmen e tij.
“Ky sulm është aq i pashembullt, aq serioz dhe i vrazhdë sa që më duhet të ndalem dhe të reflektoj me bashkëshorten time”, tha ai. “Të shumtën e kohës harrojmë që politikanët janë njerëz. Dhe unë nuk kam turp të them se jam burrë që e dashuroj shumë gruan time, që po jeton me ndjenjën e pafuqisë ndërkohë që ndaj saj hidhet baltë.”
“Që ta përmbledh, bëhet fjalë për një operacion për të më goditur nga toka, deti e ajri për të më detyruar që të heq dorë nga politika përmes sulmeve ndaj bashkëshortes time,” shkroi zoti Sanchez./VOA
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...