Kryeministri i sapozgjedhur polak Donald Tusk u zotua të punojë për të siguruar angazhimin e plotë të Perëndimit për Ukrainën dhe për t’i rikthyer Polonisë rolin udhëheqës brenda BE-së. Polakët shprehen të çliruar pas emërimit të kryeministrit të ri dhe për drejtimin që do të marrë vendi pas disa viteve qeverisjeje nga forcat nacionaliste.
Zoti Tusk tha të martën se vendi i tij do të kërkojë mobilizimin e plotë të Perëndimit për të ndihmuar Ukrainën, duke shtuar se në këtë mënyrë Polonia do të rifitojë një pozicion udhëheqës në Evropë dhe do të jetë një vend anëtar i fortë i NATO-s.
“Kjo luftë, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, është një sulm ndaj të gjithë ne. Kam besim tek bashkëpunimi i të gjitha forcave politike këtu. Do të kërkojmë me zë të lartë dhe vendosmëri mobilizimin e plotë të botës së lirë, të botës perëndimore, për ta ndihmuar Ukrainën në këtë luftë. Nuk ka alternativë tjetër”, tha zoti Tusk.
Parlamenti polak mbështeti emërimin e zotit Tusk të hënën, duke i dhënë kështu fund tetë viteve të qeverisjes nga forcat nacionaliste dhe duke e rikthyer vendin drejt riparimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.
Zoti Tusk u zotua sidoqoftë të kundërshtojë çdo ndryshim të traktateve të BE-së që mund të prekin interesat e Polonisë, si dhe të vendosë një kontroll të rreptë të kufijve të vendit. Në të njëjtën kohë, ai premtoi se Polonia do të jetë një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara.
“Sa e rëndësishme është ta përsërisim moton tonë kombëtare, se Polonia do të jetë një hallkë jetike, e fortë dhe sovrane e Aleancës së Atlantikut të Veriut, se Polonia do të jetë një aleate besnike dhe e qëndrueshme e Shteteve të Bashkuara, me vetëbesim tek motivet e saj, fuqia dhe rëndësia”, tha zoti Tusk.
Njerëzit shprehen të çliruar pas emërimit të kryeministrit të ri.
“Qeveria e mëparshme ishte anti-evropiane, kështu që humbëm shumë shanse. Civilizimi po zhvendoset kaq shumë sa që ne duhet të jemi të bashkuar me Evropën”, thotë Magdalena Perucka, banore 40-vjeçare në qytetin Gdansk.
Ndërsa vendi vazhdon të ketë tensione nga protestat e shoferëve të kamionëve që kanë bllokuar pikat kufitare, banorët shpresojnë në një tranzicion gradual të qeverisë së re.
“Shpresoj të jetë një ndryshim i ngadaltë. Mos të jetë një revolucion, duke përmbysur çdo gjë që bënë pararendësit dhe që sistemi dhe mënyra e qeverisjes të jetë më e mirë”, thotë juristi 43-vjeçar Lukasz Strzelec.
Një ndër premtimet e kryeministrit të ri ishte marrja e fondeve të ngrira nga Bashkimi Evropian për shkak të mosmarrëveshjeve për funksionimin e shtetit ligjor në Poloni.
“Po. Do të sjell nga Brukseli miliarda eurot që sipërmarrësit polakë dhe qeverisja lokale polake dëshirojnë dhe po presin”, deklaroi zoti Tusk.
Polakët kanë shpresë tek drejtimi nga zoti Tusk i qeverisjes së vendit.
“Mendoj se ai ka potencial. Është politikan me eksperiencë që mund ta përballojë situatën. Mendoj se do t’i përmbushë pritshmëritë tona, ose të paktën të pjesës së elektoratit që e votoi”, thotë Ewa Reweda-Muranyi, ish-administratore universiteti, tashmë në pension.
Zoti Tusk njoftoi se do të shkojë në Bruksel këtë javë dhe se menjëherë pas kësaj vizite do të shkojë në vendet balltike, për të forcuar bashkëpunimin me Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë për sa i përket luftës në Ukrainë dhe mbrojtjes së kufijve./VOA
Putin paralajmëron se Rusia do të vazhdojë të testojë raketë...
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shënojnë Ditën e Alfabetit
Aksident me fatalitet në Krushë të Madhe, vdes një këmbësor
Reagon për herë të parë Diana pas largimit nga Big Brother V...
Ylli i Barcelonës nuk do të rikthehet në aksion deri në fill...
Ndërprerjet e energjisë për shkak të motit, KESCO del me njo...