Në fjalimin e tij të parë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, tha se Irani i ka kaluar “të gjitha vijat e kuqe” në programin e tij bërthamor dhe u zotua se Izraeli “nuk do ta lejojë” Teheranin që të zhvillojë armë bërthamore.
Duke folur në takimin vjetor të organizatës botërore në Nju Jork, Bennett nuk e përmendi konfliktin e Izraelit me palestinezët, por e portretizoi Iranin si kërcënim për sigurinë globale.
Republika Islamike, viteve të fundit, ka bërë “një hap të madh përpara” në kapacitetin e saj prodhues bërthamor, tha Bennett.
“Programi i armëve bërthamore të Iranit është në një pikë kritike. Të gjitha vijat e kuqe janë kaluar”, shtoi ai.
Bennett, politikan i së djathtës ekstreme, që ka marrë detyrën në qershor, dëshiron që presidenti amerikan, Joe Biden, të forcojë qëndrimin e tij kundër Iranit – armikut rajonal të Izraelit.
Ai i kundërshton përpjekjet e administratës së Bidenit për të ringjallur marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore.
Kjo marrëveshje, e nënshkruar në vitin 2015, është braktisur nga paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, në vitin 2018.
Tërheqja e Trumpit ka çuar në rikthimin e sanksioneve ekonomike kundër Iranit.
Në përgjigje, Irani, i cili thotë se ambiciet e tij bërthamore janë krejtësisht për qëllime civile, ka shkelur shumë nga kufizimet që parasheh marrëveshja.
Gjatë fjalimit të tij, Bennett tha se Irani po përpiqet të “dominojë” Lindjen e Mesme “nën një ombrellë bërthamore” dhe kërkoi përpjekje më të bashkërenduara ndërkombëtare për të ndaluar aktivitetet bërthamore të Republikës Islamike./REL/
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës