Kryeministri i Finlandës sot dha dorëheqje pasi partneri kryesor i koalicionit tërhoqi mbështetjen nga kabineti i tij pesë-partiak, transmeton Anadolu Agency (AA).
Antti Rinne, i cili mori detyrën në qershor, është përballur me kritika të ashpra gjatë disa ditëve të kaluara për mënyrën se si ai dhe një anëtar i partisë së tij përgjegjëse për kompanitë qeveritare u morën me shërbimin postar shtetëror të Finlandës, “Posti”, punëtorët e së cilës shkuan në grevë dyjavore në nëntor.
Njoftimi shkaktoi dorëheqjen zyrtare të kabinetit të përbërë nga Partia Social Demokratike e Rinne, Partia e Qendrës, të Gjelbrit, Aleanca e Majtë dhe Partia Popullore Suedeze e Finlandës.
Parlamenti do të vendosë për kryeministrin e ri javën e ardhshme.
Koalicioni qeverisës kishte kërkuar që Rinne të shpjegojë deklaratat dhe veprimet e qeverisë, por njëri nga partnerët kryesor të koalicionit, Partia e Qendrës, kishte deklaruar se shpjegimet nuk ishin të pranueshme, duke shprehur një mungesë besimi për Rinne dhe duke i kërkuar atij ose të jepte dorëheqjen, ose të kërkonte votëbesimin e deputetëve.
Rinne ofroi dorëheqjen e tij presidentit finlandez Sauli Niinisto, i cili i tha 57-vjeçarit Social Demokrat: “Faleminderit për momentet e shkurtra, por të shumta të bashkëpunimit të mirë”.
Partia e Qendrës tërhoqi mbështetjen e saj për Rinne të hënën, por premtoi mbështetjen e saj të vazhdueshme për programet qeveritare, duke shmangur kështu zgjedhjet e parakohshme.
Greva dyjavore nga punonjësit e postës së Finlandës përfundoi më 27 nëntor pas arritjes së marrëveshjes për pagat. Sindikata që përfaqësonte punonjësit e Postit tha që ishte e kënaqur me marrëveshjen e arritur për kontratat e punës të rreth 700 punonjës të paketave.
Greva kishte çuar në një grevë tjetër njëditore mbështetëse nga sektori i transportit të vendit nordik, për të përkrahur punonjësit e postës, duke nxitur avio-kompaninë kryesore Finnair të anulonte pothuajse 300 fluturime dhe duke i shkaktuar probleme biznesit në kryeqytet.
Dorëheqja vjen në kohën kur Finlanda mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.
Katër karateistëve kosovarë iu ndalohet hyrja në Gjeorgji, h...
“Mua më shikon gjithmonë duke kërcyer”, Sara ngacmon Driloni...
Bayerni po mendon t’i rinovojë kontratën legjendës së klubit...
Rama publikon pamje nga Mali i Thatë: Destinacion i përkryer...
Abdixhiku mbledh kryetarët e degëve të kësaj partie: LDK-ja ...
Avokati: Qeveria ka 60 ditë afat për t’ia kthyer Behgjet Pac...