Kryetari i Partisë Laburiste, Anthony Albanese, duket se do të jetë kryeministri i ri i Australisë, pasi projeksionet e nxjerrin fitues në zgjedhje.
Por çfarë ka ra në sy pas kësaj është mbiemri dhe historia e tij interesante.
Në këtë drejtim, në internet kanë dalë supozime të shumta rreth prejardhjes së tij, disa duke e ndërlidhur edhe me një prejardhje nga arbëreshët e Italisë.
Një gjë e tillë e ka nxitur sidomos mbiemri dhe historia e dy prindërve të tij.
Siç bëhet e ditur, 59-vjeçari me nofkën “Albo” është rritur në banesa sociale nga një nënë beqare me pension invaliditeti.
Albanese besonte se babai i tij kishte vdekur para se ky të lindte, por si adoleshent mësoi se nëna në fakt kishte mbetur shtatzënë me një burrë ndërsa udhëtonte për në Evropë.
Prindërit iu takuan në mars të vitit 1962 në një udhëtim drejt Southamptonit, ku babai punonte si administrator, por nuk e vazhduan lidhjen e tyre, duke ndarë rrugët – ai nuk e dinte se e kishte lënë shtatzënë Mayrannen.
Kështu, Albaneses i është thënë se babai i kishte vdekur në një aksident automobilistik – ai nuk e takoi babanë, i cili në fakt ishte ende gjallë, deri në vitin 2009.
Por siç pretendon www.illyria.com, Anthony Albanese është djali i një marinari arbëresh, Carlo Albanese nga jugu i Italisë, por me nënë australiane (me origjinë irlandeze).
“Kur mbushi moshën 14-vjeçare, nëna e uli në tavolinë dhe i tregoi një histori tjetër. Babai i tij nuk kishte vdekur në aksident, ata kishin pasur një histori dashurie por pastaj ishin ndarë. Historia e bukur romantike e dy të rinjve nëpër Evropë, kishte mbaruar, kur ajo kishte zbuluar se kishte mbetur shtatzënë”, shkruan ky portal.
Po sipas asaj që pretendon www.illyria.com, aty djali arbëresh i kishte thënë se nuk mund të martoheshin bashkë, sepse ai kishte një të fejuar në fshatin e tij dhe nuk mund ta prishte fejesën.
Siç supozohet më tej, shumë shpejt lidhja u prish dhe ajo u kthye, katër muaj shtatzënë, në shtëpinë e prindërve të saj me një problem madhor.
Ishte një familje katolike në vitet 1960 dhe kjo përbënte skandal.
Kështu që zgjidhja qe trillimi i një historie të pavërtetë.
Aty ajo vendosi të blinte një unazë, u regjistrua në bashkinë lokale me mbiemrin e të dashurit dhe shpiku historinë e aksidentit.
Anthony e quajti babanë të vdekur edhe pasi e mori vesh që mund të ishte gjallë…
Po sipas www.illyria.com, vetëm pas vdekjes së nënës, në vitin 2002, ai u interesua pranë kompanisë që ishte pronare e trageteve të gati gjysmë shekulli më parë dhe një historiani për të gërmuar në arkiva.
Pas disa vitesh kërkimesh që përfshinë edhe regjistrat e pensionistëve italianë të punësuar në tragetet dhe anijet e kohës, arritën të gjenin emrin, adresën, madje edhe një numër telefoni të Carlo Albaneses.
Ai jetonte në Barleta të Italisë dhe të gjitha të dhënat dhe data e garantonin që ishte babai i politikanit të ri (Albanese 36 vjeçar ishte zgjedhur në atë kohë zv-kryeministër i një prej shteteve australiane).
Lajmi ishte emocional për të. Nuk dinte se si të vepronte. A kishte kuptim që të udhëtonte në Itali për ta takuar?
Një senatore ishte bërë ambasadore e Australisë në Itali dhe e dinte historinë e tij. Ajo pranoi menjëherë që ta ndihmonte.
Rastësia e deshi që një nga diplomatet e ambasadës australiane në Romë, Lisa Golden, ishte kushërirë e Carlo Albaneses nga ana e nënës.
Lisa fliste italishten shumë mirë dhe ndihmoi në lidhjen mes tyre.
Carlo nuk dëgjonte mirë nga veshët.
Diplomatja australiane i kishte shkruar pastaj një letër kushëririt që t’ia shpjegonte më mirë situatën. Pastaj telefonoi përsëri, dhe foli me gruan e arbëreshit.
Vetëm një ditë përpara mbërritjes së Anthony Albaneses në Itali, një i afërm i familjes, telefonoi nga Barleta për t’u shpjeguar. Ishte avokate dhe të nesërmen i priti të dy në studion e saj legale. I pyeti se pse donin ta takonin Carlo Albanesen. Anthony i tha se besonte që ai ishte babai i tij.
“Nuk dua ndonjë gjë prej tij. As para apo ndonjë gjë tjetër. Thjesht dua ta takoj”.
Në fund, avokatja i tha se do të bisedonte me të birin e Carlos dhe do të përpiqej ta bindte. Kur dolën në rrugë, politikani italian ishte përlotur.
Të nesërmen në mëngjes, Carlo i priti në studio me vajzën dhe djalin. Elegant dhe i veshur mirë, por mezi dëgjonte nga veshët. U përqafuan. Të gjithë ishin me lot në sy.
U ulën të flisnin. Carlo ende fliste pak anglisht. E pyeti për nënën dhe jetën e saj.
“Ishte burrë fisnik”, thotë Anthony. “E mora me mend pse nëna ishte dashuruar me të. Kishte sharm. Ishte i zgjuar. Bujar, interesant dhe punëtor. Familjen e kishte mbi gjithçka”.
Pas punës si marinar kishte punuar si pastrues shkolle dhe në një restorant.
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
Kurti dhe Peci në Gjakovë, përurojnë nisjen e punimeve të pr...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...