Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka bërë thirrje për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë deri në fund të këtij viti, duke theksuar se masat kufizuese shkaktojnë inflacion dhe krizë ekonomike.
Siç theksoi Orban, zyrtarët e BE-së me bazë në Bruksel “detyruan” vendosjen e sanksioneve të Evropës, duke e kthyer një “konflikt lokal” në një “luftë ekonomike globale”.
Ai shtoi se sanksionet shkaktuan probleme ekonomike, përfshirë krizën energjetike dhe inflacionin. Sipas tij, nëse hiqen sanksionet, inflacioni do të bie me 50 për qind, shkruan Anadolu, transmeton klankosova.
Komentet e kryeministrit Orban nënkuptojnë se Hungaria mund të bllokojë miratimin e një pakete të re sanksionesh të BE-së që shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell njoftoi sot pas një takimi të jashtëzakonshëm të kryediplomatëve të vendeve të bllokut evropian në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Pa zbuluar detaje, Borrell konfirmoi se BE-ja po përgatit masa të reja ekonomike kundër Moskës dhe se do të rrisë mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën në përgjigje të mobilizimit të pjesshëm në Rusi.
Ambasadorët e BE-së pritet të diskutojnë propozimin gjatë ditës së nesërme.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, blloku evropian ka ofruar gjithsej 2.5 miliardë euro në ndihmë ushtarake, përfshirë armë vdekjeprurëse, si dhe pajisje mbrojtëse personale, kuti të ndihmës së parë dhe karburant.
BE-ja ka vendosur shtatë paketa të sanksioneve, duke vendosur në objektiv, ndër të tjerë, presidentin rus Vladimir Putin, kryediplomatin Sergey Lavrov, si dhe duke ndaluar importet e arit, naftës dhe qymyrit si dhe eksportet e mallrave luksoze dhe të teknologjisë së lartë. Ndër sanksionet, bankat ruse dhe bjelloruse po ashtu janë përjashtuar nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT.
Në pranverë, Hungaria për javë të tëra bllokoi miratimin e paketës së gjashtë të sanksioneve për shkak të ndalimit të saj të importeve të naftës ruse.
Si një kompromis, vendit iu dha një përjashtim për importet e naftës në tubacione, por megjithatë vuri veton ndaj vendosjes së sanksioneve të ndalimit të udhëtimit dhe ngrirjes së aseteve kundër udhëheqësit të Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkut Kirill.
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...