Google ADS

Kryeministri hungarez akuzon BE-në për kaos institucional rreth çështjes së emigrantëve

23:04 | 23 Qershor 2018
Trina Galanxhi

Në një intervistë radiofonike, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban u shpreh se Bashkimi Europian aktualisht ndodhet në një kaos institucional për sa i përket çështjes së emigrantëve, dhe rendi kushtetues i tij ka nevojë për restaurim.

Sipas kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban asnjëherë si tani, katër vendet e grupit Vishegrad  – aleanca e katër vendeve të Europës qendrore Poloni, Republikë Ceke, Sllovaki dhe Hungari, nuk kanë qenë më të forta dhe më të integruara me Austrinë e Kurz e Italinë e Kontes

Në një intervistë radiofonike, Orban u shpreh se liderët e shteteve anëtare të Vishegrad janë të bashkuar në propozimin e iniciativave të tyre, duke shtuar se këto katër vende po zhvillohen dhe po rriten më shpejt se vendet e tjera europiane.

Viktor Orban pohoi se për temën e emigrantëve duhet përgjegjësi dhe kjo nuk nënkupton liri për të gjithë për të hyrë në Europë.

Ai theksoi se Hungaria nuk do të shkatërrojë kulturën dhe sigurinë e saj publike.

Kryeministri hungarez shtoi se deri sa Europa të mos adoptojë të gjithë emigrantët, katër vendet e Vishegrad nuk do të pranojnë asnjë më shumë

Amendamenti kushtetues i miratuar disa ditë më parë dhe që bëri të jashtëligjshëm pranimin e emigrantëve në vend, si dhe ndjekje penale për ata që ndihmojnë emigrantët, u cilësua nga Orban si një punë e rafinuar ligjore.

Ai tha se këto vendime ishin propozuar dhe më parë nga partitë gjatë fushatave elektorale.

Duke folur për sigurinë kombëtare kreu i ekzekutivit hungarez tha se nuk do të pranojë që organizatat e huaja të influencojnë çështjet e brendshme.

Sipas Orban janë tre çështjet kryesore për sa I përket emigracionit në Europë.

Një nga këto është mbrojtja e kufirit, dhe më pas gjetja e një zgjidhjeje për ata emigrantë që tashmë ndodhen në vend.

Dhe e treta të bëhet e qartë se kush do të lejohet të hyjë në Hungari në të ardhmen

Por kryeministri hungarez kritikoi dhe Europën duke thënë se ka një kaos institucional Brenda Bashkimit Europian dhe rendi kushtetues tashmë është një rrëmujë që ka nevojë për restaurim.

Sipas tij muajt e fundit grupi i Vishegrad i themeluar në 15 shkurt 1991 po punon gjithnjë e më shumë në këtë drejtim.

Në fund të intervistës së tij ai komentoi dhe fitoren e Kroacisë ndaj Argjentinës në kuadër të kampionatit botëror të futbollit në Rusi.

Ai tha se skuadra ballkanike mund të ketë shpresa për të fituar kampionatin dhe kjo është një gjë e madhe…forca kroatë, përfundoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme