Kryediplomati i Arabisë Saudite tha se mbretëria nuk do të normalizojë raportet me Izraelin apo të ndihmojë në rindërtimin e Gazës nëse nuk do të ketë një rrugë të besueshme drejt një shteti palestinez – një kërkesë që është refuzuar nga Qeveria izraelite. Kështu deklaroi princi Faisal bin Farhan gjatë një interviste për transmetuesin amerikan, CNN.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar shtetësinë palestineze dhe ka paraqitur planet për Gazën pasi të mbarojë lufta me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Mosmarrëveshjet rreth të ardhmes së Gazës, e ka vendosur Izraelin kundër aleates kryesore, SHBA-së, por edhe kundër shumicës së komunitetit ndërkombëtar. Këto mosmarrëveshje paraqesin një pengesë të madhe për çfarëdo plani për qeverisjen apo rindërtimin pasi të përfundojë lufta të enklavës që është shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.
Para sulmit të 7 tetorit të kryer nga Hamasi ndaj Izraelit, sulm që nxiti luftën, SHBA-ja kishte tentuar të ndërmjetësonte një marrëveshje historike, sipas së cilës, Arabia Saudite do të normalizonte raportet me Izraelin, në këmbim të garancive të sigurisë nga SHBA-ja, ndihmës për krijimin e një programi civil bërthamor dhe përparimin drejt zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez.
Në shtator, Netanyahu tha se Izraeli ishte në “prag” të arritjes së një marrëveshjeje të tillë.
Gjatë intervistës për CNN-in, kryediplomati saudit u pyet se “a po thoni se nëse nuk ka një rrugë të besueshme dhe të pakthyeshme drejt një shteti palestinez, nuk do të ketë normalizim të raporteve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit?”, princi Faisal tha se “kjo është mënyra e vetme që ne do të kemi përftim, prandaj po”.
Princi Faisal tha po ashtu se shteti i tij nuk do të kontribuojë në rindërtimin e Gazës të shkatërruar nga ofensiva izraelite, nëse nuk do të ketë një rrugë drejt një zgjidhjeje.
Palestinezët kërkojnë që shteti i tyre i ardhshëm të përfshijë Gazën, Bregun e pushtuar Perëndimor nga Izraeli dhe lindjen e aneksuar të Jerusalemit, territore që Izraeli i mori në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.
Izraeli e sheh Jerusalemin si kryeqytet të tij dhe Bregun Perëndimor si tokë historike dhe biblike të popullit hebre. Në këto territore, Izraeli ka ndërtuar vendbanime ku jetojnë qindra mijëra kolonë hebrenj. Rundet e fundit të bisedimeve për paqe u prishën 15 vjet më parë.
Gjatë një takimi lidhur me luftën, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian thanë se krijimi i një shteti palestinez ishte mënyra e vetme për të arritur paqen dhe shprehën shqetësimin e tyre lidhur me refuzimin e kësaj ideje nga Netanyahu.
Lufta aktuale mes Izraelit dhe Hamasit – që është e pesta dhe deri më tani më vdekjeprurësja – nisi pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke marrë peng afër 250 të tjerë.
Gjatë ofensivës izraelite janë vrarë të paktën 25.295 palestinezë në Gazë dhe janë plagosur mbi 60.000 të tjetër, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi. Kjo ministri nuk bën dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se afër dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë./rel
Policia kontrolle në zyrat e Netflix në Holandë dhe Francë
Kosova U17 kualifikohet në Ligën A, kundërshtarët i mëson në...
Kurti dhuron gjak, për nderuar kujtimin e Astrit Deharit
OBSH: Mbi 100 pacientë do të evakuohen nga Gaza
Hovenier për zgjedhjet në SHBA: Cilido që të jetë rezultati,...
Siguria në Kosovë, temë e diskutimit mes komandantit të KFOR...