Gjermania ka riafirmuar përkushtimin e saj ndaj marrëveshjes për emigrantët mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE), në kohën kur ekziston frika për një valë të re të refugjatëve për shkak të sulmeve të regjimit sirian në rajonin veriperëndimor Idlib, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur gjatë një konference për media në Berlin, ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, shprehu shqetësimet për zhvillimet e fundit dhe numrin në rritje të kalimeve në Detin Egje në muajt e fundit.
“Kam diskutuar këto çështje në një bisedë telefonike me homologun tim turk (Mevlüt) Çavuşoğlu gjatë kësaj jave. Edhe një herë kam theksuar se BE do të përmbushë detyrimet e saja sipas marrëveshjes për emigrantët mes BE-së dhe Turqisë”, tha ai, duke shtuar se pret që Turqia gjithashtu të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saja.
“Ka qenë një diskutim konstruktiv. Kështu që besoj se situata hap pas hapi do të qetësohet dhe do të normalizohet sërish”, shtoi ai.
Sipas të dhënave të UNHCR-së, muajin e kaluar rreth 8.100 refugjatë dhe emigrantë arritën në ishujt grekë.
Në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015, më shumë se 856.000 njerëz kaluan Detin Egje, kryesisht refugjatë nga Siria dhe Iraku.
Javën e kaluar, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan paralajmëroi për një fluks të ri të mundshëm të refugjatëve nga Idlibi i Sirisë, dhe i bëri thirrje BE-së që të ndërmarrë masa për të ndarë barrën.
Ai theksoi se Turqia mund të hapë dyert që refugjatët të kalojnë në Evropë, nëse BE nuk ndan barrën.
Në vitin 2016, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kishte mbështetur marrëveshjen e refugjatëve BE-Turqi, me shpresë për ta ndaluar fluksin e refugjatëve, pasi pothuajse një milion refugjatë kishin arritur në Gjermani.
Marrëveshja ishte e suksesshme në ndalimin e dukshëm të numrit të kalimeve në Detin Egje dhe në parandalimin e humbjes së jetëve të shumë njerëzve.
Mirëpo, Ankaraja kritikoi partnerët evropianë se nuk e kanë zbatuar në tërësi marrëveshjen e vitit 2016.
BE kishte premtuar ndihma në vlerë prej 6 miliardë eurosh për të përmirësuar kushtet e refugjatëve sirianë në Turqi. Mirëpo, deri në vitin 2019 janë ndarë vetëm 2,22 miliardë euro.
Turqia strehon rreth 3,6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo shtet tjetër në botë. Sipas të dhënave zyrtare, Ankaraja deri më tani ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për refugjatët.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...