Ethet e tragjedisë së shkaktuar nga zjarret që shkrumbuan Athinën brenda 24 orëve vazhdojnë të mbajnë ngërthyer Greqinë, me kryeministrin Aleksis Tsipras që ka marrë përsipër përgjegjësinë politike për 87 jetët e humbura.
Në vend shumë e kritikojnë qeverinë dhe autoritetet për reagimin me vonesë ndaj zjarreve, por Tsipras eliminoi “gjuetinë e shtrigave” duke theksuar se nuk duhet qëndruar duarkryq por duhet vazhduar me plan për të rehabilituar zonën e Rafinës.
E teksa shkaku për tragjedinë nuk është gjetur ende, ka nga ata si kryebashkiaku i komunës Rafina-Pikermi, Vagelis Bournos, që pranojnë se janë bërë gabime në përgjigjen ndaj krizës. Ai tha për CNN se nuk është dhënë asnjë urdhër evakuimi dhe se shkalla e rrezikshmërisë ndaj zjarrit ishte “nënvlerësuar”.
Pavarësisht se theksin e vendosi tek kushtet atmosferike dhe erërat shumë të forta si faktorët që e përkeqësuan situatën, Bournos nënvizoi se nuk duhet përjashtuar gabimi njerëzor, pasi ishte pjesërisht fajtor për jetët e humbura.
Ai nxori në pah mungesën e një paralajmërimi si dhe problemet afatgjata urbane dhe ndikimin në shërbimet publike të viteve të shumta të masave të kursimit, si shkaktar joparësor të tragjedisë.
“Ne mund të kishim më pak viktima me një plan evakuimi të organizuar mirë, por kur zjarri filloi në komunën Penteli nuk kishte asnjë urdhër evakuimi për pjesën lindore (të Atikës) për shkak të drejtimit të erës”, tha Bournos për CNN.
“Zjarri u nënvlerësua”, shtoi më tej ai.
Sipas tij ishte mungesa e planifikimit që çoi në bllokimin e rrugëve të shpëtimit në fshatin turistik Mati, ku u gjet edhe numri më i madh i të vdekurve./gsh/
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...