Kroaci, ndizet alarmi i kuq për shkak të erërave të fuqishme

01:42 | 12 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Kroacia në disa zona ka lëshuar paralajmërim të kuq për shkak të motit të keq, transmeton Anadolu Agency (AA).

Paralajmërimi i kuq për shkak të erës së fortë është në fuqi për zonat e rajonit të Rijekës, Kvarner dhe Kvarneriç, Kanalin Velebit dhe Dalmacinë veriore. Në disa pjesë të këtyre rajoneve priten të fryjnë erëra deri në 165 kilometra në orë. Instituti Shtetëror Hidrometeorologjik i Kroacisë (DHMZ) i bëri thirrje popullatës që të ketë kujdes.

“Merrni masa vetëmbrojtëse. Ekziston një rrezik për sigurinë personale për shkak të rrëzimit të pemëve, thyerjes së degëve dhe fluturimit të mbeturinave. Priten dëmtime të shumta në struktura, ndërprerje të qarkullimit dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike”, thuhet në paralajmërim.

Gjithashtu thuhet se moti është shumë i rrezikshëm dhe nënkupton një nivel të lartë rreziku për shëndetin, madje edhe situata kërcënuese për jetën, veçanërisht për detarët. DHMZ këshilloi publikun që të shmangë udhëtimet dhe qëndrimin pranë zonave bregdetare të rrezikuara.

“Ka shumë mundësi që tragetet të mos lundrojnë, prandaj nëse jeni duke udhëtuar, ndiqni informacionin e trafikut”, tha DHMZ.

Për shkak të erërave më të forta është lëshuar alarmi portokalli për zonat e Kninit, rajonin e Splitit, bregdetin perëndimor të Istrias, Dalmacinë qendrore dhe jugore.

Paralajmërimi i verdhë për shkak të erës dhe borës është në fuqi për zonën e Gospiqit, ndërsa për rajonin e Dubrovnikut për shkak të erës, shiut dhe stuhive.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme