Kriza në Ukrainë: Gazsjellësi Nord Stream 2 mund të anulohet, paralajmëron SHBA

23:16 | 27 Janar 2022
Trina Galanxhi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se hapja e tubacionit kyç që do të dërgonte gazin rus në Europën Perëndimore do të anulohet nëse Rusia vendos të sulmojë Ukrainën.

Nord Stream 2 do të shkonte nga Rusia në Gjermani dhe zyrtarët në Berlin kanë deklaruar se projekti mund të përballet me sanksione nëse Rusia sulmon, transmeton portal arbresh.info

Aleatët perëndimorë thonë se do të synojnë sanksionimet ekonomike në Rusi nëse ajo sulmon Ukrainën dhe komentet e fundit sinjalizojnë një ngurtësim të qëndrimit të tyre ndaj tubacionit fitimprurës.

Deri me tani, Rusia ka mohuar se po planifikon ndonjë sulm.

Megjithatë, grumbullimi i dhjetëra mijëra trupave ruse në kufijtë e Ukrainës në javët e fundit ka nxitur tensioned dhe ka rritur frikën e një sulmi.

“Dua të jem shumë i qartë: nëse Rusia pushton Ukrainën në një mënyrë ose në një tjetër, Nord Stream 2 nuk do të ecë përpara”, tha për NPR zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price.

Ndërsa SHBA këmbënguli se do të ndalonte plotësisht hapjen e gazsjellësit, Gjermania vetëm tha se nuk do të përjashtonte vendosjen e sanksioneve ndaj projektit.

Ministrja e Jashtme e vendit, Annalena Baerbock, i tha parlamentit se aleatët perëndimorë “po punonin për një paketë të fortë sanksionesh” që mbulonte aspekte “duke përfshirë Nord Stream 2”, por ajo ka shtuar se Berlini do të preferonte të “vazhdonte dialogun” me Moskën.

Tubacioni 1,225 km (760 milje) mori pesë vjet për t’u ndërtuar dhe kushtoi 11 miliardë dollarë. Projekti energjetik, i cili do të zhvillohet nën Detin Baltik, është projektuar për të dyfishuar eksportet e gazit të Rusisë në Gjermani./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme