Pasaportë të BE kundrejt parave? Qeveria e Maltës madje bën reklamë hapur për këtë në internet: Kush blen një imobilie në ishullin e vogël dhe investon 150.000 euro në obligacionet shtetërore malteze, ai parimisht mund të marrë nënshtetësinë, dhe pasaportën e kërkuar të një vendi të BE. Aplikues nga vendet arabe, Rusia, Azia apo Amerika Jugore madje nuk kanë as detyrimin të jetojnë në Maltë. Mjafton që ata ta vizitojnë njëherë ishullin në 5 vitet e blerjes së imobilies. Më interesante bëhet kjo pasaportë, po të kujtosh, se ajo përmbledh edhe udhëtimin pa vizë si turist në SHBA.
Për herë të parë Komisioni Evropian e ka vënë në shënjestër të kontrollit modelin e biznesit të nënshtetësisë apo vizave kundrejt parave. Raporti i publikuar të mërkurën (24.01) të jep shkas për shqetësim, thanë eurokomisionerët, Vera Jourova dhe Dimitris Avramopoulos në Bruksel. Tre shtete – Malta, Qiproja dhe Bullgaria (aktualisht ky vend e ka pezulluar procesin shën red.) e ofrojnë hapur kundrejt parave nënshtetësinë e tyre, ndërsa 20 shtete të tjera anëtarë japin kundrejt investimeve të larta të drejtën e qëndrimit në vend.
KE apelon tek shtetet anëtare
“Këto vende nuk shesin vetëm nënshtetësinë e tyre, por në të njëjtën kohë, një nënshtetësi për të gjithë Bashkimin Europian”, tha komisionerja e KE-së për Drejtësinë, Jourova. KE nuk është i sigurtë, nëse bëhen kontrolle të mjaftueshme të sigurisë. “Larje parash, evazioni fiskal këto nuk mund të përjashtohen, sepse disa shtete nuk kërkojnë prova të mjaftueshme, se nga vijnë këto para për një vizë apo pasaportë” , kritikoi Jourova. “Shitja e nënshtetësisë së shteteve anëtare është legale, por ne nuk mund të rrimë pa bërë asgjë”, tha ajo.
Ndërsa komisioneri i KE për Sigurinë e Brendshme dhe Migrimin, Dimitris Avramopoulos apeloi tek shtetet anëtare të kryejnë aplikimet e duhura për verifikim tek banka e të dhënave europiane për kontrollet e vizave. “Problemi është që nuk ka të dhëna të sakta se sa leje qëndrimi jepen përmes të ashtuquajturave vizat e arta. Shtetet anëtare nuk japin të dhëna konkrete”, tha Avramopoulos. Edhe identiteti i qytetarëve të rinj shpesh nuk bëhet i ditur.
Biznes i majmë
Organizatat joqeveritare “Transparency International” dhe “Global Witness” në një studim të tyre në vjeshtë kanë llogaritur se në 10 vitet e fundit në BE janë dhënë 100.000 viza të arta dhe 6000 nënshtetësi kundrejt parave. Më së shumti ato janë dhënë në Spanjë, Qipro, Portugali dhe Britaninë e Madhe. Vetëm Qipro, sipas llogaritjeve të studimit, ka arritur të marrë 4,8 miliardë euro nga biznesi i pasaportave. Sidomos pas krizës financiare u rritën në këtë mënyrë investimet në vend.
Për herë të parë Komisioni Europian pranon se me këtë procedurë lidhen edhe shumë rreziqe sigurie. Kështu persona të dyshimtë të biznesit nga Rusia kanë në dorë një pasaportë të dytë qipriote. “Ne duam të dimë se kush qëndron në BE”, tha komisionerja Jourova. Sipas Naomi Hirst nga “Global Witness” “kohët për industrinë e vizave të arta do të bëhen më të vështira, kur BE të pranojë rreziqet e papranueshme të sigurisë dhe korrupsionit që lidhen me të.”
Tani Bullgaria e ka ndaluar përkohësisht programin e vizave të arta, pas një skandali të korrupsionit, ku dy funksionarë të lartë të qeverisë kundrejt parave kanë dhënë certifikata të falsifikuara e me këtë kanë lejuar të drejtën për sigurimin e pasaportës bullgare. Gjermania sipas KE nuk ka vizë të artë. Por kur një qytetar jashtë BE ngre apo drejton një biznes të caktuar, mund të marrë në kushte të caktuara një leje qëndrimi të pakufizuar në Gjermani. Në Austri është veçanërisht shumë e shtrenjtë pasaporta austriake. Një investitor nga Azia, Afrika apo vende të tjera duhet të ofrojë 10 milionë euro për të marrë pasaportë austriake.
Si shkak i erërave të forta vazhdojnë problemet me energji
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shum...
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...