Në Nazaret, qyteti ku të krishterët besojnë se Jezusi kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, festimet e Krishtlindjes janë zvogëluar në shenjë solidariteti me palestinezët në Gaza. Udhëheqësit e krishterë i thanë Zërit të Amerikës se aktualisht është e pamundur të ndjesh atmosferën e festave, ndërsa pronarët e bizneseve thonë se tregtia ka rënë ndjeshëm pasi turistët dhe pelegrinët qëndrojnë larg për shkak të luftës.
Krishtlindja në Nazaret, të krishterët solidarizohen me Gazën
Gjatë Krishtlindjeve të kaluara, Nazareti ishte i mbushur me turistë dhe pelegrinë që vizitonin qytetin për të cilin Bibla thotë se Jezusi kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij. Zakonisht, pranë kishës ortodokse greke qëndronte një pemë gjigande e Krishtlindjes.
Por këtë vit, rrugët janë të boshatisura dhe mungon pema e Krishtlindjes.
Prifti Symeon Beitjalli thotë për Zërin e Amerikës se festimet e Krishtlindjes janë zvogëluar këtë vit në shenjë solidariteti me të krishterët dhe palestinezët në Gaza.
“Është një situatë shumë e keqe dhe e trishtueshme. Mijëra njerëz kanë vdekur, fëmijë dhe foshnja. Madje gjatë pandemisë ne patëm një pemë të madhe dhe festuam. Jo si këtë vit”.
Zëri i Amerikës foli me telefon me zotin Nabeel Tarazin, një i krishterë në Gaza, ku ndërprerjet e komunikimit janë të zakonshme. Ai tha se të krishterët palestinezë përpiqen të gjejnë strehë në kisha gjatë bombardimeve izraelite.
“Nuk ka festë për Krishtlindje apo Vitin e Ri. Të paktën 23 të krishterë janë vrarë. Shumica e tyre janë vrarë në kisha. Këtu ka një atmosferë vdekjeje”.
Që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, e nxitur nga masakra e rreth 1200 izraelitëve më 7 tetor nga grupi militant, autoritetet shëndetësore palestineze thonë se rreth 20,000 njerëz janë vrarë në Gaza.
Udhëheqësit e krishterë në Nazaret dhe shumë qytete të tjera izraelite, përfshirë Betlehemin, vendlindja e Jezusit, kanë rënë dakord që të zvogëlojnë festimet këtë vit.
Prifti Beitjalli thotë se kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, që nga fillimi i konfliktit izraelito-palestinez në vitet 1940. Por vuajtjet në Gazë këtë vit janë shumë të mëdha dhe duhej bërë diçka.
Në një dyqan që shet zbukurime për Krishtlindje, pronarja Joanne Bital thotë se mungesa e pelegrinëve dhe turistëve ka një ndikim të madh tek biznesi.
“Fatkeqësisht, për shkak të luftës këtë vit shitjet kanë rënë me 70-80%. Jemi prekur shumë nga situata ekonomike, por falë Zotit familja ime është mirë”.
Nabila Espanioly, aktiviste për paqen, thekson se një nga mesazhet kryesore të Krishtlindjeve është paqja në Tokë. Ajo thotë se komuniteti botëror duhet të bashkohet për t’i dhënë fund luftës.
“Bota duhet t’i bashkohet këtij mesazhi dhe kështu mund të bëjmë një ndryshim”.
Prifti Beitjalli thotë se shpreson për dhënien fund të luftimeve.
“Këto ditë kemi nevojë për të. Shpresojmë dhe lutemi që Jezusi të vijë përsëri dhe të sjell paqe për të gjithë”.
Ndërsa afrohet Krishtlindja, paqja në Gazë duket shumë larg./voa
Bajram Shala: Pati edhe racizëm dhe sjellje racore, hera e d...
Futbollistët dardan nuk kthehen në fushë, gjqytari e mbyll n...
Gjyqtari kryesorë u jep ultimatum futbollistëve dardan tR...
Ky është parashikimi i motit për vikend
Raporti i KE: Ekonomia shqiptare vazhdon trendin e fortë të ...
Media rumune i quan gjeste të turpshme disa nga veprimet e f...