“Krimea t’i falet Rusisë”, ekipi i Trumpit distancohet nga deklarimet e republikanit Bryan Lanza

22:43 | 9 Nëntor 2024
Q L

Ekipi i tranzicionit i presidentit të sapozgjedhur Donald Trump ka njoftuar se republikani Bryan Lanza nuk po fliste në emër të presidentit kur ai tha se “administrata Trump do t’i kërkonte presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky një vizion realist për paqen”.

Lanza tha se prioriteti i administratës së re në Ukrainë do të jetë vendosja e paqes dhe jo rivendosja e territorit të humbur, përfshirë Krimenë.

“Dhe nëse presidenti Zelensky vjen në tryezë dhe thotë, ne mund të kemi paqe vetëm nëse kemi Krimenë, ai na tregon se ai nuk është serioz. Krimea është zhdukur”, tha Lanza.

Duke iu përgjigjur komenteve të tij, një zëdhënës i ekipit të Trump mohoi që Lanza të ketë folur në emër të presidentit, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

“Bryan Lanza ishte një kontraktor për fushatën”, tha zëdhënësi.

“Ai nuk punon për presidentin Trump dhe nuk flet për të”, shtoi ai.

Bëhet e ditur se gjatë fushatës zgjedhore, Trump tha se do të gjente një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës “brenda një dite”, por nuk shpjegoi se si do ta bënte këtë.

Ndryshe, Zelensky dhe Trump realizuan një bisedë telefonike së fundmi, së cilës iu bashkua edhe miliarderi Elon Musk.

Vetë Trump ka refuzuar të përjashtojë mundësinë që Ukrainës mund t’i duhet t’i lëshojë tokë Rusisë dhe ka qenë veçanërisht i paqartë kur diskutohet për konfliktin.

Disa aleatë të profilit të lartë kanë paraqitur propozime paqeje që në praktikë do të rezultonin në një sundim afatgjatë rus mbi zonat që njihen ndërkombëtarisht si territor ukrainas.

Ndërkohë, Zelensky ka thënë vazhdimisht se paqja nuk mund të vendoset derisa të gjitha forcat ruse të dëbohen dhe të kthehet i gjithë territori i pushtuar nga Moska, përfshirë Krimenë. /Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme