Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje të mërkurën palëve në Lindjen e Mesme të parandalojnë një përhapje të konfliktit, ndërsa në veri të Izraelit njerëzit nxitonin për të gjetur strehim nga goditjet që vinin nga Libani jugor.
“Jam i shqetësuar nga shkëmbimi i zjarrit rishtazi përgjatë Vijës Blu dhe sulmet që u njoftuan se u bënë nga Libani jugor”, u tha gazetarëve zoti Guterres në selinë qendrore të OKB-së. Vija Blu është vija ndarëse mes Izraelit dhe Libanit, e cila patrullohet nga paqeruajtës të OKB-së.
“U bëj thirrje të gjitha palëve – dhe atyre që kanë influencë tek këto palë – të shmangin një përshkallëzim dhe shtrirje të mëtejshme”, tha ai.
Grupi militant libanez Hezbollah, i mbështetur nga Irani, kontrollon Libanin jugor. Ekziston frika se ky grup do të bëhet pjesë e konfliktit, në mbështetje të Hamasit. Në vitin 2006, Izraeli dhe Hezbollahu bënë luftime 33-ditore në Liban.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së tha se mban kontakte të vazhdueshme me udhëheqësit në rajon për të parandaluar një përhapje të konfliktit.
Zëdhënësi Stephane Dujarric u tha gazetarëve se zoti Guterres bëri disa telefonata që kur Hamasi filloi sulmet brutale ndaj civilëve izraelitë dhe ushtarëve të shtunën, kur u vranë mbi 1 mijë izraelitë dhe disa të huaj.
Ai ka folur me Presidentin izraelit Isaac Herzog, Presidentin palestinez Mahmoud Abbas, si dhe kryeministrin në detyrë në Liban, me mbretin e Jordanisë, presidentin e Turqisë, kryeministrin e Katarit dhe ministrin e jashtëm të Iranit. Zoti Dujarric tha se kreu i OKB-së pritet të ketë një telefonatë edhe me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Ushtria e Izraelit pritet të fillojë së shpejti një sulm të gjerë tokësor ndaj Rripit të Gazës që është nën kontrollin e Hamasit dhe ka mbledhur forcat ushtarake përgjatë kufirit. Izraeli ka vendosur një rrethim të plotë ndaj këtij territori, në përgjigje të sulmeve terroriste të Hamasit ndaj Izraelit, si dhe ka bërë sulme të shumta ajrore, duke vrarë qindra palestinezë.
Në Gaza jetojnë mbi 2.2 milionë palestinezë. Zyrtarët e OKB-së kanë bërë thirrje për korridore humanitare për të dërguar furnizime jetike për civilët që jetojnë atje.
“Na duhet qasje humanitare e shpejtë dhe pa pengesa”, tha zoti Guterres, duke shtuar se “nuk ka kohë për të humbur”.
Ai falenderoi Egjiptin për gatishmërinë për të lehtësuar qasjen humanitare drejt Gazas nëpërmjet pikës kufitare Rafah, dhe për të vendosur në dispozicion aeroportin El Arish për avionët me ndihma. Izraeli bombardoi të martën këtë pikë kufitare dhe ajo vazhdoi të ishte e mbyllur të mërkurën. Nuk është e qartë nëse ajo mund të përdoret nga organizatat humanitare.
Gjithashtu, agjencia e OKB-së që ndihmon refugjatët palestinezë, UNRWA, bëri thirrje për 104 milionë dollarë fonde ndihmash për tre muajt e ardhshëm.
UNRWA thotë se fondet nevojiten për ushqime, strehimin e menjëhershëm, kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen për gjysmë milionë palestinezë në strehëzat e saj në Gaza dhe më gjerë.
Agjencia, e cila ka 13 mijë të punësuar në Gaza, shumica e tyre palestinezë, thotë se 11 anëtarë të personelit të saj dhe 30 studentë janë vrarë që nga e shtuna./voa
Çfarë nuk i pëlqeu Gjestit te Xheneta gjatë darkës?
Hapet tregu i gjelave të detit në Baldushk, Veliaj: Konsumon...
Pacolli uron festat e fundvitit: Gëzim dhe harmoni për të gj...
Murati: Do të përkrahim punëtorët e sektorit privat
Helikopteri godet ndërtesën e spitalit në Turqi, konfirmohen...
“Nuk ia ndjen hiç për mua”, Gjesti i acaruar me Xhenetën, te...