Google ADS

Kremlini vazhdon të përhapë teori konspiracioni për ta etiketuar Ukrainën si terroriste

20:06 | 29 Mars 2024
KRG

Pavarësisht nisjes së një fushate masive dezinformimi, Rusia dështoi të fajësojë Ukrainën dhe Perëndimin për sulmin terrorist të 22 marsit në rajonin e Moskës. Edhe pasi grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin dhe publikoi video si provë për këtë, Rusia vazhdon të gënjejë.

Menjëherë pas sulmit terrorist në periferi të Moskës, që shkaktoi vdekjen e të paktën 139 persona dhe plagosjen e 182 të tjerëve, Rusia nisi një fushatë të madhe dezinformuese për të cilësuar Ukrainën dhe Perëndimin si organizatorë të sulmit.

Presidenti rus Vladimir Putin, krerët e inteligjencës dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, mediat shtetërore të lajmeve dhe një ushtri e tërë përdoruesish të internetit që përhapin shpifje në përkrahje të Kremlinit, janë përfshirë në shpërndarjen e kësaj teorie konspirative.

Rusia nuk i kushtoi vëmendje grupit terrorist të Shtetit Islamik (IS) që mori përgjegjësinë për sulmin dhe madje paraqiti prova për këtë duke publikuar video që dyshohet se janë filmuar gjatë sulmit dhe tregojnë pamje të filmuara nga afër të autorëve që qëllojnë mbi njerëzit.

Kremlini e intensifikoi propagandën e tij vetëm pasi Shteti Islamik mori përgjegjësinë.

Aleati më i afërt i zotit Putin, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, e nisi fushatën në mbrëmjen e sulmit, duke bërë thirrje për vrasjen e zyrtarëve ukrainas:

“Nëse vërtetohet se këta janë terroristë të regjimit të Kievit”, shkroi zoti Medvedev në aplikacionin për shpërndarjen e mesazheve, Telegram “të gjithë ata duhet të gjenden dhe të eliminohen pa mëshirë si terroristë duke përfshirë zyrtarët e shtetit që kreu një mizori të tillë.”

NTV, një kanal televiziv në pronësi të kompanisë shtetërore të energjisë të Rusisë ‘Gazprom’, transmetoi një video të rreme të krijuar me Inteligjencë Artificiale, në të cilën Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes të Ukrainës Oleksiy Danilov pranon përfshirjen e Ukrainës në sulmin terrorist.

Duke njoftuar videon e rreme, prezantuesi i NTV-së tha: “Përfshirja e regjimit të Kievit në sulmin terrorist në rajonin e Moskës u konfirmua publikisht dhe në televizion nga Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksiy Danilov”.

Kanali zyrtar televiziv i Ministrisë ruse të Mbrojtjes ‘Zvezda’ dhe shumë media të tjera ritransmetuan videon e sajuar që vërehej lehtësisht se nuk ishte krijuar nga një profesionist, duke përsëritur pretendimin e rremë se Ukraina kishte marrë përgjegjësinë për sulmin.

Të shtunën në mëngjes, Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) njoftoi ndalimin e 11 të dyshuarve të kapur pranë kufirit të Rusisë me Ukrainën dhe Bjellorusinë. FSB-ja pretendoi se katër të dyshuarit u përpoqën të kalonin kufirin ruso-ukrainas me makinë dhe ishin persona që ‘kishin kontakte’ në Ukrainë.

Të shtunën, Meduza, një faqe e pavarur e lajmeve në gjuhën ruse me bazë në Letoni, njoftoi se Kremlini “kishte udhëzuar mediat besnike shtetërore dhe qeveritare që në raportimet e tyre ta vinin theksin mbi ‘gjurmët’ që të çonin tek Ukraina për sulmin terrorist në Crocus”.

Po atë ditë, Margarita Simonyan, kryeredaktore e organizatës shtetërore mediatike “MIA Rossiya Segodnya” që përfshin ‘Sputnik-un’ dhe ‘RT-në’, akuzoi drejtpërdrejt Ukrainën për sulmin terrorist: “Pra, po. Ky nuk është ISIS [IS]. Këta janë Khokholët”, duke përdorur një term nënçmues rus për ukrainasit etnikë.

Të shtunën në mbrëmje, Presidenti Putin iu drejtua kombit për herë të parë pas sulmit. Ai konfirmoi se autorët ishin arrestuar dhe theksoi se ata ishin nisur drejt Ukrainës. Nga pala ukrainase, pohoi zoti Putin, ishte hapur një “dritare” përmes së cilës terroristët të kalonin kufirin shtetëror rus.

Në Dumë, dhomën e ulët të parlamentit rus, deputeti Alexey Chepa foli për përfshirjen e Ukrainës sikur të ishte e konfirmuar. “Sigurisht, ka një gjurmë që përfshin Ukrainën. Të gjitha ngjarjet e sotme janë të lidhura me Ukrainën”, tha zoti Chepa për “RIA Novostin”.

Kreu i Komisionit të Mbrojtjes në Dumën Shtetërore të Rusisë, Andrei Kartapolov, tha në të njëjtën ditë se “Ukraina dhe përkrahësit e saj” janë “palët kryesore të përfshira” në sulmin terrorist në rajonin e Moskës.

Aleksandr Dugin, intelektuali ultra-nacionalist rus, shtoi Izraelin në listën e të dyshuarve.

“Asnjë hipotezë nuk duhet të hidhet poshtë menjëherë. Për shembull, nuk duhet harruar hakmarrja zioniste për pozicionin rus në Gazë dhe prania e gjurmëve të shërbimit sekret izraelit Mossad, i cili, në fakt, ka kontakte të ngushta me ISIS-in”, shkroi zoti Dugin në një postim në Telegram të hënën.

Kryetari i Partisë Komuniste të Federatës Ruse dhe udhëheqësi i fraksionit komunist në Dumë, Genadi Zyuganov, ka akuzuar vazhdimisht “vendet anglo-saksone të NATO-s”.

Gjatë një takimi të hënën me Kryeministrin Mikhail Mishustin, zoti Zyuganov tha se Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe ishin pas sulmit në rajonin e Moskës:

“Dhe jo ISIS. … Ky është absurditet i plotë! ISIS dhe gjithçka tjetër janë krijim i CIA-s dhe MI6-së (shërbimi sekret britanik) dhe gjithçka që pamë këtë herë ishte puna e tyre.”

Sekretari rus i Këshillit të Sigurimit Nikolai Patrushev iu bashkua atyre që hodhën akuzat të martën për përfshirjen e Ukrainës në sulmin terrorist. Kur u pyet për të sqaruar se çfarë tregon përfshirja e Ukrainës, zoti Patrushev u përgjigj: “Shumë”.

Po të martën, kreu i Shërbimit Federal të Sigurisë, Alexander Bortnikov, tha se projektuesit dhe organizatorët e sulmit terrorist në sallën e koncerteve Crocus nuk ishin identifikuar ende.

Megjithatë, zoti Bortnikov hodhi të njëjtat akuza të pabaza si shefat e tjerë të inteligjencës ruse:

“Sulmi terrorist në sallën e koncerteve Crocus u nevojitej shërbimeve të inteligjencës perëndimore dhe Ukrainës për të tronditur situatën dhe për të krijuar panik në shoqërinë ruse”.

Autoritetet ruse njoftuan të martën ndalimin e 11 personave të përfshirë në sulmin terrorist, duke përfshirë edhe katër autorët e dyshuar.

Pas arrestimit të të dyshuarve, kanalet pro-qeveritare ruse në Telegram filluan të shpërndanin video dhe fotografi që tregonin se si po torturoheshin të arrestuarit. Një video e tillë tregonte se si njërit prej të arrestuarve i prisnin një pjesë të veshit dhe ia fusnin në gojë.

Fotografitë dhe videot nga salla e gjyqit, ku autorët e dyshuar u sollën me urdhër arresti, tregonin shenjat e tortures. Të katër kishin mavijosje në fytyrë.

Ukraina i hodhi poshtë akuzat e Rusisë, duke akuzuar shërbimet ruse të sigurisë për një operacion të rremë.

Më shumë se dy javë para sulmit në sallën e koncerteve, më 7 mars, ambasada e SHBA-së në Rusi kishte paralajmëruar për rrezikun e “planeve ekstremiste për të sulmuar vendet ku mblidhen shumë njerëz në Moskë, duke përfshirë koncertet”.

Tri ditë para sulmit, më 19 mars, Presidenti Putin, në një takim të zgjeruar të bordit të FSB-së, e hodhi poshtë paralajmërimin e SHBA-së, duke e quajtur “shantazh të drejtpërdrejtë që synon të frikësojë dhe destabilizojë shoqërinë tonë”.

Zyrtarët amerikanë thanë se përpara sulmit, SHBA-ja ndau me inteligjencën ruse informacionet që tregonte se ‘IS-Khorasan’, një degë e Shtetit Islamik aktiv në Afganistan, Pakistan dhe Iran, po planifikonte një sulm në Moskë./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme