Fantazitë e ndarjes përgjatë vijave etnike po ringjallen në ish-Jugosllavi.
Nëse BE nuk ia del të ndalë nacionalizmat, kërcënojnë konflikte të reja të pakontrolluara në Ballkanin Perëndimor, shkruan Marion Kraske.
Filmi i Jasmila Zbanic “Quo Vadis Aida” i cili në çmimet Oscar të këtij viti ishte në renditjen e “filmave më të mirë të huaj”, është impresionues. Regjisorja boshnjake rrëfen me emocion për dëshpërimin e njerëzve në Srebrenicë, kur trupat serbe të drejtuara nga Ratko Mladiç në korrik 1995 pushtojnë me shpejtësi Bosnjen lindore për të ushtruar atë që ishte synim final: Krijimin e Serbisë së Madhe. Për këtë ata vranë 8300 djem e burra, shumica myslimanë. Gjenocid në tokën europiane.
Filmi i Zbanic është një paralajmërim që vjen në momentin e duhur. Sepse 26 vjet pasi mori fund lufta në ish-reublikat jugosllave Bosnje e Hercegovina me Marrëveshjen e Dejtonit, ky vend është ekspozuar sërish ndaj sulmeve të reja. Ashtu si në vitet 90-të kur presidenti kroat, Franjo Tuxhman dhe pushtetmbajtësi serb, Slobodan Milosheviç e ndanë Bosnjen mes tyre, tani ekstremistë të papërmirësueshëm përpiqen t’i japin fund kësaj. Të shkatërrojnë Bosnjen me të gjithë multietnicitetin e saj.
Së fundmi qarkullojnë fantazi ndarjeje, që vënë pikëpyetje mbi ekzistencën e republikës në qendër të ish-Jugosllavisë. Një e ashtuquajtur “nonpaper”, sipas raportimeve në media, vjen nga dora e kryeministrit slloven, Janez Jansa. Dokumenti i zbuluar propagandon qartë vendosjen e kufijve të rinj përgjatë vijave etnike. Vëzhguesit janë të mendimit, se pjesë të dokumentit janë përpiluar në Budapest, me gjasë krijime të rrethit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ndikimi i rrymave populiste-nacionaliste është i dukshëm.
Dëbime, vrasje, përdhunime masive
Në thelb është formuluar krijimi i një Serbie të Madhe, Kroacie të Madhe dhe Shqipërie të Madhe. Kjo nënkupton një ringjallje të rrezikshme të atyre ideologjive që në fillim të viteve 90-të çuan në dëbime, vrasje dhe përdhunime masive. E megjithkëtë ato kanë përkrahës.
Prej kohësh Kroacia lobon në Bruksel për një variant të zbutur të ndarjes së Bosnjes. Në fakt është e njëjta gjë: Ekstremistë kroatë-boshnjakë kërkojnë një etnitet të vetin “të tretë”. Kërkohet thellimi i ndarjes etnike dhe më së miri bashkimi me vendin amë kroat. Nga Beogradi vijnë tone gjithnjë e më agresive: Bashkimi i botës serbe ka kohë që ka filluar, tha këto ditë ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin dhe “nuk mund të ndalet më.”
Paralajmërime nga Bosnja
Këto lojëra fantazishë për një “ndarje paqësore” të Bosnjes janë një sulm serioz ndaj rendit aktual të paqes, e kjo gjen reflektim në alarmin që ngre në raportin e tij Përfaqësuesi i Lartë i Bashkësisë Ndërkombëtare në Bosnje, Valentin Inzko në Këshillin e Sigurimit.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas i përjashton kategorikisht ndryshimet e kufijve në Ballkan. Pyetja që shtrohet është, se sa të gatshëm janë në Berlin dhe Bruksel për t’ua bërë pa hezitim të qartë këtë qarqeve provokuese nga Zagrebi në Lubjanë, Budapest dhe Beograd dhe të kujdesen që politikat e përgjakshmë të Karaxhiçit dhe të tjerëve të mos tirren më si vizione tës ë ardhmes?
Dobësia e BE
Në këto ide të fundit të paraqitura vihet në pah edhe dobësia e Bashkimit Europian, që në rajon krijoi një vakuum të rrezikshëm. Kështu deri më tani Brukseli nuk ia doli të krijojë një perspektivë të qartë. Në vend të demokratizimit të pakompromis u zgjodh një bashkëjetesë e dyshimtë me etno-klanet qeverisëse që kontribuoi në forcimin e pushtetit të elitave të korruptuara dhe forcimin e axhendave ekstremiste.
Shembulli më i mirë për këtë politikë të zbutjes ishte iniciativa “landswap” – këmbim territoresh për Serbinë dhe Kosovën. Përveç kësaj BE legjitimoi vitin e kaluar në Bosnje me të ashtuquajturin “Deal” i Mostarit pikërisht partitë nacionaliste, që e mbajnë vendin në një paralizim të vazhdueshëm. Në të njëjtën kohë lihen në baltë ata aktorë, që janë vërtet aleatët e Europës: aktivistë për të drejtat e njeriut si publicistja në Mostar, Stefica Galic.
Efekte të rrezikshme domino
Brukseli do të bënte mirë, t’u jepte një fund të qartë narrativave fantazmë me etnokrati të pastra, veçanërisht brenda BE. Efekte të rrezikshme domino duken që tani. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që për një kohë të gjatë në politikën e jashtme gjermane shihej si një spirancë stabilititeti, përpiqet përmes ushtrimit të influencës të destabilizojë jo vetëm Bosnjen, por edhe vendet fqinje si Mali i Zi apo Kosova.
Edhe Kroacia e nxit gjithnjë e më shumë luftën e ftohtë kundrejt fqinjit të dobët. Kështu presidenti kroat, Zoran Milanovic tregoi para pak ditësh se sa pak ndërmerr kundër ideologjive përçmuese ndaj njeriut anëtarja më e re e BE-së. Pa asnjë drojë presidenti kroat priti një të dënuar për krime lufte nga ato shoqata kroato-boshnjake (HVO), që në luftën e Bosnjes vranë civilë.
Kundër paqes
Teza e kreut të shtetit kroat – jo gjithkush që është dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës është kriminel lufte. Sipas një studimi aktual, Kroacia nuk është përballur ende si duhet me të shkuarën fashiste në Luftën e Dytë Botërore: Vetëm një e treta e të rinjve të anketuar kanë pranuar, se shteti i pavarur i atëhershëm kroat, NDH ishte një marionetë e Gjermanisë naziste.
Ajo që dihet: Stabilokracitë me zjarrvënës shpirtërorë në krye si edhe gjoja-zgjidhjet përgjatë vijave etnike nuk janë receta për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, por bien ndesh me një Europë paqësore. Perëndimi duhet të reagojë menjëherë për këtë, kërkon eksperti i Ballkanit Daniel Serwer në një “non paper” të tijën dhe kujton ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës. Nëse ky rajon do të vazhdojë si tani, sipas ekspertit, kjo do të ketë pasoja për destablizimin, mund të sjellë konflikte etnike dhe rritje të migrimit. Nëse BE nuk ia del që të bashkojë forcat e saj, nuk përjashtohet dhuna. Përpjekja e fundit “për të bashkuar” serbët, paralajmëron publicisti boshnjak, Dragan Bursaç përfundoi me gjenocid.
Politologja dhe gazetarja, Marion Kraske drejtoi zyrën e Sarajevës të Fondacionit Heinrich Böll për Bosnje-Hercegovniën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nga viti 2015-2021
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...
Kurti mirëpriti në takim lamtumirës Ambasadorin e Bullgarisë...
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...