Udhëheqësit e Bashkimit evropian do të takohen gjatë javëve të ardhshme për të diskutuar edhe një herë mbi aspiratat e ngecura të vendeve të Ballkanit për t’u anëtarësuar në bllok.
Por rezultatet e disa studimeve të fundit, që trajtojnë shkallën e pastrimit të parave në rajon, nuk kanë gjasa ta bindin Francën dhe Hollandën, që së bashku me disa vende të tjera anëtare duan të vonojnë zgjerimin e BE-së, thonë zyrtarët.
Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë vende kandidate të BE-së. Ato kanë shprehur zhgënjim lidhur me bllokimin e aplikimeve të tyre për anëtarësim. Por kundërshtarët e zgjerimit të BE-së po përdorin një studim që sugjeron se tregu i pasurive të patundshme në Ballkanin Perëndimor po përdoret për të pastruar paratë nga trafiku i drogës dhe trafikut të migrantëve, duke rritur çmimet e pronave në rajon.
Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare me seli në Gjenevë, thotë se para të pista po pompohen në tregjet e pasurive të patundshme dhe industrinë e ndërtimit në Ballkanin Perëndimor.
“Paratë e pista që po fitohen dhe pastrohen në rajon po përforcojnë një ekosistem të krimit dhe korrupsionit,” tha Kristina Amerhauser, një nga autorët e raportit të botuar muajin e kaluar nga organizata.
Në raportin e tyre “Çmimet aktuale: Aanalizë e fluksit të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor”, autorët thonë se është e pamundur “të thuash një shifër konkrete se sa para të pista të përfituara në Ballkanin Perëndimor dhe jashtë tij janë pastruar në të vërtetë në rajon “, por ata vlerësojnë se shifrat sillen mes 2.2 miliardë dhe 5.6 miliardë dollarë.
Ndërsa shuma e parave mund të duket e vogël krahasuar me disa rajone shumë më të pasura, hulumtuesit theksojnë se “këto shuma janë të jashtëzakonshme, kryesisht kur vihen në perspektivë”.
“Për shembull, në vitin 2021, buxhetet e ministrive të brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë kapin shumën prej 168 milion euro secila (200 milionë dollarë); buxheti i policisë së Kosovës është vetëm 87 milion euro (106 milion dollarë). ”
Pasuritë e patundshme
Shuma të mëdha parash të pista po hidhen në tregjet e pronave në të gjithë rajonin “ndërsa çmimet rriten artificialisht nga kriminelët që duan të pastrojnë paratë e tyre atje”.
Ndërsa çmimet e pasurive të patundshme ranë në të gjithë rajonin gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë, shumë vende shënuan rritje të konsiderueshme që nga viti 2017.
Vitin e kaluar ekonomia shqiptare u tkurr mesatarisht me 10.2%, por tregu i pasurive të patundshme vazhdoi të zgjerohej me 5.5%.
Kriza e ekonomike e shkaktuar nga pandemia pati pak ndikim në tregun e shtëpive apo apartamenteve të banimit në kryeqytetin shqiptar. Në Tiranë që nga viti 2017 deri në vitin 2020 çmimet u dyfishuan. Rritja u nxit “kryesisht nga investimet me para kesh në ndërtim dhe pasuri të patundshme nga ana e krimit të organizuar dhe nga të korruptuarit.”
Gjithashtu në Serbi, industria e pasurive të patundshme ka shënuar një rritje jashtëzakonisht të lartë dhe të pashpjegueshme midis viteve 2018 dhe 2020. Industria e ndërtimit vazhdoi të zgjerohet pavarësisht nga pandemia e vitit të kaluar dhe tkurrjes së ekonomisë në përgjithësi.
Reagimi
Maqedonia e Veriut hapi disa hetime për pastrim parash, ku përfshihen pasuritë e patundshme dhe projekte të mëdha në infrastrukturë, përfshirë edhe një hetim ndaj ish-Kryeministrit Nikola Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij në biznes.
Projektet e mëdha të infrastrukturës publike kanë tërhequr vëmendjen e aktivistëve kundër korrupsionit.
“Respektimi i standardeve evropiane ka provuar të jetë një sfidë e veçantë për vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit kur bëhet fjalë për projekte të mëdha në fusha të tilla si infrastruktura dhe energjia,” thotë Marko Pankovski i Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, në Shkup.
Përmes një shkrimi në portalin “European Western Balkans” zoti Pankovski shton se, “Pavarësisht përpjekjeve të shoqërisë civile, partitë në pushtet duket se janë të vendosura që të mos bëjnë tërërisht transparente kontratat e këtyre projekjteve dhe t’i nënshtrohen kontrollit të institucioneve të pavarura. Nuk është e vështirë të kuptohet se cila është arsyeja kryesore për mosrespektimin e standardeve, partitë në pushtet sigurohen që paratë të përfundojnë në xhepat e bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që shpesh shkakon fryrjen e çmimeve.”
Franca ka qënë një nga kundërshtarët kryesorë të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Zyrtarët francezë argumentojnë se BE-ja ka patur disa përvoja të këqija zgjerimi me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe probleme të vazhdueshme me korrupsionin dhe sundimin e ligjit në vende të tilla si Rumania dhe Bullgaria.
Ata thonë se kjo ka ndodhur pasi është lejuar anëtarësimi në BE i atyre vendeve që disa zyrtarë i quajnë të “papërgatitura”. Ata druhen se vendet e Ballkanit Perëndimor janë kthyer në shtete të kapura nga politikanë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
Mbështetësit e zgjerimit të Bashkimit Evropian argumentojnë se anëtarësimi në bllok do të ndihmojë vendet e Ballkanit në përpjekjet e tyre kundër korrupsionit.
Në vitin 2019 pasi Presidenti francez Emmanuel Macron vuri veton, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel shkroi i revoltuar në rrjetin Twitter, “Do t’u dërgoja një mesazh miqve tanë maqedonas dhe shqiptarë: mos u dorëzoni! Ju bëtë pjesën tuaj dhe ne jo. Nuk kam asnjë dyshim që ju do të bëheni anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian. ”
Presidenti i atëhershëm i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se ngecja e bisedimeve të anëtarësimit ishte “një gabim i madh historik”./voa/
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...