Google ADS

Koronavirusi: Izolim në dy shtetet më të populluara në Amerikë

19:06 | 21 Mars 2020
A. B.

Dy shtetet më të populluara në Amerikë kanë marrë vendim për izolim total. Përjashtim do të ketë vetëm në rastet kur lëvizjet janë të domosdoshme.

Masat pasojnë veprimet e administratës Trump për të tejkaluar krizën e shëndetit publik ndërsa ligjvënësit po përpiqen të arrijnë marrëveshje që do të ndihmonte ekonominë amerikane të dëmtuar nga përhapja e koronavirusit.

Rrugët e Kalifornisë janë bosh… afro 40 milionë njerëz janë të izoluar. Një urdhër i ngjashëm është dhënë edhe në Nju Jork.

“Mundësia jonë e vetme është që të ulim nivelin e përhapjes së virusit”, thotë Andrew Cuomo, guvernator i Nju Jorkut.

Prej së dielës në Nju Jork vetëm bizneset e domosdoshme mund të qëndrojnë të hapura. Por Presidenti Trump nuk po konsideron ende mundësinë e një izolimi mbarëkombëtar.

“Nuk mendoj ashtu”, tha ai.

Nga e shtuna SHBA ndërpreu të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme me Meksikën dhe Kanadanë.

“Zyrtarët më të lartë të shëndetësisë në vendin tonë janë shumë të shqetësuar për pasojat që mund të shkaktojnë lëvizjet e pakontrolluara kufitare tek shëndeti publik”, tha zoti Trump.

Ndërsa aktiviteti ekonomik i vendit dhe tregjet e aksioneve po bien, ligjvënësit e dy partive po lënë mënjanë dallimet në një përpjekje për të miratuar një paketë prej 1 trilion dollarësh, ndihmë ekonomike.

“Duhet ta miratojmë paketën e ndihmave për amerikanët. Duhet t’i mbajmë ata në punë aq sa mundemi si të ndihmojmë punëdhënësit e tyre të mbijetojnë. Duhet të vazhdojmë përkrahjen për profesionistët e shëndetit publik e të mbrojmë shëndetin e të gjithë amerikanëve”, tha Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës në Senat.

Projektligji parashikon ndihmë financiare për bizneset e vogla dhe qytetarët me të ardhura të pamjaftueshme.

Demokratët thonë se edhe spitalet kanë nevojë për më shumë fonde.

“Brenda pak javësh spitalet mund të mbingarkohen me pacientë ku ka mungesa të dorezave, maskave, shtretërve, respiratorëve e kiteve të testeve”, tha Chuck Schumer, udhëheqësi i pakicës së Senatit.

Si kjo qendër për testim në Teksas po hapen edhe tjera në vend. Shtëpia e Bardhë thotë se po sheh mundësinë që prodhuesit e makinave të nisin prodhimit e pajisjeve mjekësore. Por që shtrohet është nëse ato do të jenë gati në kohë ndërsa numri i të prekurve me virus pritet të rritet edhe më shumë në javët e ardhshme. /VoA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme