Koreja e Veriut konfirmoi të enjten se Kushtetua e saj e ndryshuar rishtazi e përcakton Korenë e Jugut si “vend armik” për herë të parë, dy ditë pasi ajo i hodhi në erë rrugët dhe hekurudhat kufitare që dikur e lidhnin atë me Jugun.
Këto zhvillime të njëpasnjëshme tregojnë se Koreja e Veriut e ka përnjëmend përshkallëzimin e armiqësive kundër Koresë së Jugut, duke rritur rrezikun për përleshje të mundshme në pjesët e tensionuara kufitare.
Megjithatë, gjasat që Koreja e Veriut ta futet në luftë janë shumë të vogla për shkak se Jugu dhe Shtetet e Bashkuara kanë ushtri shumë më të fuqishme se ajo.
Agjenci shtetërore e lajmeve e Veriut, KCNA raportoi të enjten se shkatërrimi i pjesëve veriore të rrugës ndërkoreane dhe lidhjeve hekurudhore ishte “masë e pashmangshme dhe e ligjshme, që u ndërmor për plotësimin e rregullores së Kushtetutës së DPRK-së, e cila qartazi e përcakton ROK-un si shtet armiqësor”.
DPRK-ja është shkurtesë për Republikën Popullore Demokratike të Koresë, emri zyrtar i Veriut, ndërsa ROK-u është shkurtesë për Republikën e Koresë, emri zyrtar i Jugut.
Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut e dënoi vendimin e Veriut për ta shpallur atë shtet armiqësor, duke e quajtur atë ” akt antiunifikues dhe antikombëtar”.
Ministria deklaroi se Qeveria e Koresë së Jugut do të përgjigjet me vendosmëri ndaj çdo provokimi nga Koreja e Veriut dhe do të vazhdojë të promovojë me qëndrueshmëri një unifikim paqësor të Koresë, bazuar në parimin themelor të lirisë dhe demokracisë.
KCNA nuk dha hollësi të mëtejshme rreth Kushtetutës së re, përveç përshkrimit të Koresë së Jugut.
Urdhri i Kimit në janar për ta rishkruar Kushtetutën befasoi shumë ekspertë të huaj, pasi u pa si një eliminim i idesë së shtetësisë së përbashkët ndërmjet Koreve të ndara nga lufta dhe si një shkëputje nga ëndrrat e paraardhësve të tij për të arritur paqësisht bashkimin e Koreve sipas kushteve të Veriut.
Në muajt e fundit, Koreja e Veriut ka shkatërruar monumente që simbolizojnë afrimin me Korenë e Jugut dhe ka shfuqizuar agjencitë shtetërore që trajtojnë marrëdhëniet ndërkoreane.
Disa ekspertë thonë se Kimi ndoshta synon të mbrohet kundër ndikimit kulturor të Koresë së Jugut dhe ta forcojë sundimin dinastik të familjes së tij.
Të tjerë thonë se Kimi dëshiron të krijojë hapësirë ligjore për të përdorur armët e tij bërthamore kundër Koresë së Jugut, duke e bërë atë shtet të huaj armik, e jo partner për një bashkim të mundshëm që ndan një ndjenjë të homogjenitetit kombëtar. Ata thonë gjithashtu se Kimi mund të synojë të kërkojë negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara në diplomacinë e ardhshme për programin e tij bërthamor, dhe jo përmes Koresë së Jugut./rel/
“Mashtruese”, debat i ashpër mes Xhenetës dhe Sarës
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në ...
Kina thotë se SHBA-ja po “luan me zjarrin”, për shkak të mbë...
Rohde falënderon Kosovën për mbështetjen pas sulmit në Gjerm...
Festat e fundvitit, fluks i shtuar i udhëtarëve në Kakavijë
Pritje mbi një orë e gjysmë te Dheu i Bardhë për të hyrë në ...