Google ADS

Koreja e Veriut ndërpret të gjitha linjat e komunikimit me Jugun

15:34 | 9 Qershor 2020
Arbresh.info

Koreja e Veriut “do t’i ndërpresë plotësisht dhe do të mbyllë” të gjitha linjat e komunikimit me Korenë e Jugut, njoftoi sot media shtetërore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Agjencisë zyrtare qendrore koreanoveriore të lajmeve (KCNA), masa është si hakmarrje për “veprimet armiqësore” të Seulit kundër Phenianit, të cilat “i kanë shtyrë marrëdhëniet ndërkoreane në një katastrofë”.

Vendimi u mor në një takim ku morën pjesë zyrtarë të lartë, përfshirë motrën gjithnjë e më me ndikim të Kim Jong-un-it, Kim Yo-jong, thuhet në raportin e KCNA-së.

“Fusha përkatëse e palës sonë do të ndërpresë plotësisht dhe do të mbyllë linjën e ndërlidhjes midis autoriteteve të Veriut dhe Jugut, e cila është ruajtur përmes Zyrës së përbashkët ndërlidhëse Veri-Jug nga mesdita më 9 qershor”, thuhet në deklaratën zyrtare të cituar nga agjencia.

Lidhjet e tjera që janë ndërprerë përfshijnë linjat e komunikimit ushtarak të Detit Lindor dhe Perëndimor, një linjë komunikimi ndër-koreane dhe një linjë telefonike mes Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë dhe Shtëpisë së Kaltër presidenciale të Koresë së Jugut.

Sipas raportit, Koreja e Veriut u zemërua veçanërisht për dështimin e Seulit për të ndaluar dërgimin e broshurave propaganduese anti-Phenian dhe paralajmëroi se Koreja e Jugut “do të paguante shtrenjtë për këtë”.

“Sa i përket çështjes së dinjitetit të udhëheqjes sonë supreme nuk mund të ketë falje as mundësi”, thuhej në deklaratë.

Sipas Agjencisë së lajmeve Yonhap, zyrtarët ushtarakë të Koresë së Veriut sot nuk u përgjigjen në një telefonatë në mëngjes nga Koreja e Jugut, shembulli i parë i tillë që nga viti 2018.

“Koreja e Veriut këtë mëngjes nuk iu përgjigj thirrjeve tona përmes linjave të komunikimit ushtarak”, citoi agjencia zëdhënësin e Ministrisë së Mbrojtjes, Choi Hyun-soo.

Choi tha se Seuli po monitoron nga afër situatën.

Këto zhvillime vijnë vetëm disa ditë pasi Kim Yo-jong u kërcënua të tërhiqte Phenianin nga marrëveshja ushtarake ndërkoreane e nënshkruar në vitin 2018, e cila u përshëndet si një hap drejt paqes së qëndrueshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme