Koreja e Veriut lëshon raketa për herë të gjashtë në dy javë

12:12 | 6 Tetor 2022
A. B.

Koreja e Veriut ka lëshuar edhe dy raketa të tjera balistike të enjten, që i bie për herë të gjashtë në më pak se dy javë.

Penjani, të mërkurën, i ka arsyetuar këto veprime si “masa kundërveprimi” ndaj ushtrimeve të përbashkëta ushtarake të ShBA-së dhe Koresë së Jugut, BBC.

Të martën, Penjani lëshoi një raketë mbi Japoni duke e nxitur ShBA-në që të thërrasë takim emergjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë takim ShBA-ja e ka akuzuar Rusinë dhe Kinën që po e mbrojnë Korenë e Veriut nga sanksione më të fuqishme.

Ambasadori amerikan në OKB tha se Moska dhe Pekini me kundërshtimin e sanksioneve të mëtejshme po e mbrojnë Penjanin, kurse përfaqësuesit e Kinës dhe Rusisë thanë se dialogu është metodë më e mirë sesa dënimi.

Në dy muajt e fundit, ShBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë mbajtur shpesh ushtrime të kombinuara ushtarake si përgatitje për të penguar dhe mposhtur ndonjë sulm të mundshëm nga Koreja e Veriut.

Këto ushtrime irrituan liderin koreanoverior, Kim Jong-un, i cili po i sheh si dëshmi që armiqtë e tij po bëhen gati për luftë. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme