Koreja e Veriut ka gjuajtur disa raketa lundruese në det. Ky është testimi i pestë i armëve të tilla që nga janari, sipas ushtrisë jugkoreane, testime që kanë rritur tensionet në rajon.
Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se së bashku me ushtrinë amerikane po analizojnë lëshimet e raketave që u detektuan në ujërat në verilindje dhe në lindje të qytetit Vonsan. Ushtria jugkoreane nuk ofroi detaje për numrin e saktë të raketave të lëshuara apo sa gjatë ato fluturuan.
Ende është e paqartë nëse raketat u lëshuan nga toka apo nga deti.
“Ushtria jonë ka rritur vëzhgimin dhe vigjilencën dhe po punon ngushtë me partnerët amerikanë, duke monitoruar nga afër sinjalet e aktivitetit të mëtejmë nga Koreja e Veriut”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Koresë së Jugut.
Ekspertët kanë thënë se Koreja e Veriut po rrit presionin ndaj rivalëve në vitin kur Koreja e Jugut dhe SHBA-ja mbajnë zgjedhje presidenciale, duke tentuar që të detyrojë Uashingtonin që të pranojë idenë që Veriut është një fuqi bërthamore dhe të nxjerrë koncesione ekonomike dhe të sigurisë nga ky pozicion.
Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka lëshuar deklarata luftënxitëse ndaj Koresë së Jugut, përfshirë edhe deklaratën se ai do të heqë dorë nga objektivi për pajtim me këtë shtet dhe duke kërcënuar se do ta asgjësojë Jugun me armë bërthamore nëse e provokon Veriun.
Ndryshe, raketat lundruese janë të dizajnuara që të manovrohen më lehtë në fluturime sikurse ato me avionë të vegjël. Këto raketa janë në mesin e një numri në rritje të armëve që po zhvillon Veriu, së bashku me raketat balistike që janë të dizajnuara të lëshohen nga toka dhe deti.
Testimi i së mërkurës është i gjashti gjatë këtij viti i Veriut, nëse përfshihet edhe testimi i 14 janarit, kur Peniani testoi raketën e parë me rreze të mesme veprimi, që operon me karburante të ngurta. Këto testime shfaqin përpjekjet e këtij shteti për të avancuar armatimet e tij, me qëllim që armët të arrijnë të shënjestrojnë caqet amerikane në Paqësor, përfshirë edhe qendrën ushtarake në Guam.
Koreja e Veriut më herët gjatë vitit ka testuar edhe raketa lundruese që lëshohen nga nëndetëset dhe raketa lundruese me rreze të gjatë veprimi, që potencialisht mund të arrijnë bazat ushtarake amerikane në Japoni.
SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë shpeshtuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe po forcojnë strategjitë e tyre të parandalimit bërthamor./rel
LDK sot mban Forumin e Rinisë
Kush janë imigrantët që mund t’i prekë plani i Trumpit...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Analistët: Rebelët sirianë, qasje të ngjashme me Talebanët n...
Moti sot në Shqipëri
Qeveria prezanton programin për parandalimin dhe zvogëlimin ...