Google ADS

Koreja e Veriut e “hedh në erë zyrën e përbashkët ndërlidhëse” me Jugun

11:08 | 16 Qershor 2020
A. B.

Koreja e Veriut ka hedhur në erë zyrën e përbashkët të ndërlidhjes me Jugun në qytetin kufitar të Kaesong, deklaruan zyrtarët koreanë.

Lajmin e ka bërë të ditur agjencia më e madhe e lajmeve në botë BBC, transmeton portali arbresh.info

Kjo lëvizje e Koresë së Veriut vjen vetëm pak orë pasi Veriu ka rikthyer kërcënimet ushtarake kundër Jugut.

Tensionet në mes të dy palëve kanë qenë në prag të eskalimit këto javët e fundit, pasi disa grupe të Koresë Jugore kanë dërguar materiale propaganduese në Veri.

Kim Yo-jong, motra e diktatorit korean, kishte kërcënuar se do ta shkatërrojë zyrën në një deklaratë gjatë vikendit të kaluar.

Sipas saj, shkatërrimi do të krijonte “një skenë tragjike”.

Zyra është në territorin e Veriut dhe ishte hapur në vitin 2018 për të ndihmuar komunikimin në mes të qytetarëve të dy vendeve.

Zyra ishte e zbrazët që nga janari i këtij viti për shkak të masave kundër COVID-19.

Dy vendet kishin vendosur ta hapin zyrën pas bisedimeve në mes të liderit koreano-verior Kim Jong-un dhe homologut të tij jugor presidentit Moon-Jae-in.

“Shkatërrimi i zyrës ndërlidhëse është edhe një ‘shpërthim’ simbolik i raporteve tona”, ka thënë një profesor në Universitetin Ewha në Seul, shkruan BBC,.

“Është vështirë ta kuptoj se si mendon Kim se me një sjellje të tillë do marrë çfarë dëshiron nga bota, por qartësisht se imazhi i këtij shpërthimi do të përdoret për propagandë”.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut teknikisht janë ende në luftë, pasi nuk u arrit asnjëherë një marrëveshje për paqe kur lufta aktive koreane përfundoi në vitin 1953. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme