Koreja e Veriut dhe Rusia kanë arritur marrëveshje të re për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, pas bisedimeve të nivelit të lartë në Phenian këtë javë, tha të enjten agjencia shtetërore e lajmeve e Veriut.
Agjencia e Lajmeve Qendrore e Koresë së Veriut (KCNA) nuk tregoi hollësi rreth marrëveshjes së nënshkruar të mërkurën mes zyrtarëve të lartë të tregtisë së Veriut dhe një delegacionit rus të udhëhequr nga Alexandr Kozlov, i cili është ministër i Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore të Rusisë.
Agjencia ruse e lajmeve, TASS, raportoi të martën se zyrtarët ranë dakord t’i rrisin numrin e fluturimeve çarter midis dy vendeve për ta promovuar turizmin.
Kozlov, i cili mbërriti në Korenë e Veriut të dielën, u takua me liderin koreanoverior, Kim Jong Un, dhe me zyrtarin e tij kryesor ekonomik, kryeministrin Kim Tok Hun, para se të kthehej në shtëpi të mërkurën, raportoi KCNA.
Gjatë vizitës së Kozlovit, presidenti rus Vladimir Putin ia dhuroi Kopshtit Zoologjik Qendror të Phenianit më shumë se 70 kafshë, përfshirë luanë, arinj dhe disa lloje zogjsh, sipas TASS-it, duke shfaqur shenja të reja se marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve po vazhdojnë të rriten.
Në muajt e fundit, Kim Jong Un i ka dhënë përparësi marrëdhënieve me Moskën në përpjekje për të dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe për ta forcuar pozitën e tij, duke mbështetur vazhdimisht luftën e Putinit në Ukrainë, dhe njëkohësisht duke e paraqitur Korenë e Veriut si pjesëmarrëse në një front të bashkuar kundër Uashingtonit.
Kim ende nuk e ka pranuar drejtpërdrejt që ka furnizuar Rusinë me pajisje ushtarake dhe trupa për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës.
Në një seancë me dyer të mbyllur në Parlament, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut (NIS) tha të mërkurën se në fund të tetorit rreth 11.000 ushtarë koreanoveriorë u zhvendosën në rajonin Kursk të Rusisë – ku trupat ukrainase kanë marrë nën kontroll pjesë të territorit këtë vit – pasi u stërvitën fillimisht në verilindje të Rusisë.
SHBA-ja, Ukraina dhe vende të tjera kanë vlerësime të ngjashme mbi numrin e ushtarëve koreanoveriorë të Rusi.
Nis beson se ushtarët koreanoveriorë janë regjistruar në njësite të forcave ruse dhe disa prej tyre kanë marrë pjesë tashmë në luftime përkrah rusëve, sipas deputetit Lee Seong Kweun, i cili mori pjesë në seancë.
Koreja e Veriut mund t’i fitojë mbase nga 320 milionë deri në 1.3 miliard dollarë në vit nga Rusia për dërgimin e trupave të saj në Ukrainë, duke marrë parasysh numrin e tyre dhe nivelin e pagesave që Rusia ka ofruar për mercenarët e huaj, sipas një studimi të fundit nga Lim Soo-ho, një analist koreanojugor në një institut kërkimor të drejtuar nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS).
Megjithëse ky do të ishte burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë e dëmtuar dhe të sanksionuar rëndë të Koresë së Veriut, fitimi mund të jetë më e ulët se ai që Veriu e fiton nga eksportet e paligjshme të qymyrit ose nga furnizimi me pajisje ushtarake për Rusinë, tha Lim.
Kjo sugjeron se dërgimi i trupave nga Koreja e Veriut ka më pak të bëjë me paratë dhe më shumë me marrjen e teknologjive të rëndësishme ruse për ta avancuar më tej programin e saj bërthamor dhe raketor, gjë që përbën shqetësim madhor në Seul, tha Lim.
Kim e ka shtuar trysninë ndaj Koresë së Jugut, duke hequr dorë nga synimi e kahershëm i vendit të tij për pajtim ndërkorean dhe duke kërcënuar verbalisht me sulme bërthamore ndaj Jugut, nëse provokohet.
Ai ka shfrytëzuar luftën e Rusisë në Ukrainë si shpërqendrim për të përshpejtuar zhvillimin e ushtrisë së tij të armatosur me armë bërthamore, e cila tani zotëron sisteme të ndryshme të armëve bërthamore dhe raketa balistike ndërkontinentale që mund ta godasin SHBA-në./rel
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...