SEUL – Moska furnizoi Korenë e Veriut me sisteme të mbrojtjes ajrore në këmbim të dislokimit të forcave të saj për të mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës, deklaroi të premten një zyrtar i lartë i Koresë së Jugut.
Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Ukraina thonë se Koreja e Veriut dërgoi mbi 10,000 forca ushtarake në Rusi në muajin tetor, disa prej të cilave së fundmi janë angazhuar në luftime në vijën e frontit. Dislokimi i trupave të Koresë së Veriut po kërcënon të përshkallëzojë luftën dhe çështja se çfarë mund t’i ofronte Rusia, Koresë së Veriut në këmbim ishte burim i spekulimit të gjerë në nivel ndërkombëtar.
Zhvillimi më alarmant për Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara do të ishte nëse Rusia do t’i dërgonte teknologji të sofistikuar armësh Koresë së Veriut, që do të shtonte kapacitetet e saj për të sulmuar rivalët me raketa bërthamore. Shumë ekspertë, megjithatë, e përjashtojnë mundësinë që Rusia të bëjë një gjë të tillë në këtë fazë të dislokimit të trupave nga Koreja e Veriut.
Shin Wonsik, këshilltari për sigurinë kombëtare i Presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, në një paraqitje në televizionin SBS tha të premten se Koreja e Jugut ka zbuluar se Rusia i ka dhënë raketa dhe pajisje të tjera Koresë së Veriut, për ta ndihmuar të përforcojë sistemin e mbrojtjes ajrore në kryeqytetin Phenian. Zoti Shin nuk dha detaje se për çfarë lloji raketash bëhet fjalë.
Eksperti Lee Illwoo nga Rrjeti korean i Mbrojtjes në Korenë e Jugut, tha se Rusia ka mundësi të ketë dërguar raketat tokë-ajër S-400, me rreze të gjatë veprimi dhe sisteme radari. Ai tha se Koreja e Veriut mund t’i ndërtojë vet raketat tokë-ajër me rreze më të shkurtër veprimi.
Raketa S-400, me rreze veprimi prej 400 kilometrash, konsiderohet si njëra prej armëve më të avancuara të Rusisë kundër avionëve luftarakë. Por eksperti Lee shprehu dyshimin se sa në fakt këto raketa mund të përforcojnë sistemin e mbrojtjes ajrore të Phenianit, duke thënë se sistemet e mbrojtjes ajrore ruse kanë dështuar të ballafaqohen në mënyrë efikase me sulmet e dronëve ukrainas.
Shumë vëzhgues thonë se Koreja e Veriut duket se ka parë nevojën për të përforcuar kapacitetet e saj të mbrojtjes ajrore pasi muajin e kaluar akuzoi Korenë e Jugut se kishte lëshuar dronë mbi Phenian për të shpërndarë fletushka me propagandë. Ushtria e Koresë së Jugut nuk ka konfirmuar nëse qëndron prapa tyre.
Eksperti ushtarak Kim Dae Young pranë Institutit Hulumtues korean për Sigurinë Kombëtare thotë se është e mundur që në mesin e sistemeve të mbrojtjes ajrore që Koreja e Veriut mori nga Rusia të ketë pajisje kundër dronëve.
Ai thotë se do duhen vite për përmirësimin e sistemit të vjetruar të mbrojtjes ajrore të Phenianit dhe ndoshta edhe ndihmë nga vendet tjera për të përballuar superioritetin e forcave ajrore të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
Eksperti Shin thotë se Rusia duket se i ka dhënë ndihmë ekonomike Koresë së Veriut dhe teknologji të ndryshme ushtarake, përfshirë ato që i duhen Phenianit në përpjekje për të rindërtuar një sistem të qëndrueshëm të vëzhgimit në hapësirë. Ai nuk tha nëse Rusia tashmë i ka dhënë teknologji të ndjeshme bërthamore dhe raketash Koresë së Veriut.
Gjatë takimit me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un vitin e kaluar, Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska ishte e gatshme ta ndihmonte të ndërtonte satelitë. Koreja e Veriut dërgoi satelitin e saj të parë për vëzhgim në hapësirë në nëntorin e vitit të kaluar, por ekspertët e huaj vënë nën dyshim nëse ky satelit mund të prodhojë imazhe të rëndësishme ushtarake. Koreja e Veriut dështoi në përpjekjet e saj për të dërguar një satelit të dytë në muajin maj.
Koreja e Veriut dhe Rusia po rrisin nivelin e bashkëpunimit së tyre ushtarak dhe në fusha të tjera përballë konfrontimeve të tyre të ndara me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët e saj. Muajin e kaluar, agjencia e zbulimit të Koresë së Jugut tha se Koreja e Veriut i ka dërguar mbi 13,000 kontejnerë me armë artilerie, raketa dhe pajisje të tjera Rusisë që nga gushti i vitit 2023 për të kompensuar municionet e shpenzuara. Shërbimi Kombëtar i Zbulimit tha të mërkurën se Koreja e Veriut së fundmi i ka dërguar sisteme shtesë artilerie Rusisë.
Në fillim të kësaj jave, Koreja e Veriut dhe Rusia arritën një marrëveshje të re për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik pas bisedimeve të nivelit të lartë në Phenian, sipas mediave shtetërore të të dyja vendeve.
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...