Edhe pse rezultatet zyrtare ende nuk janë publikuar, kandidati liberal Moon Jae-in ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale të Koresë së Jugut. Moon, në ndryshim me kursin aktual të politikës koreano-jugore, favorizon një dialog më të gjerë me Korenë e Veriut.
“Do të jem president i të gjithë koreano-jugorëve”, tha ai përpara mbështetësve të entuziazmuar në sheshin “Gëanghëamun” të kryeqytetit Seoul.
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën në Korenë e Jugut pas skandalit të korrupsionit që detyroi rrëzimin dhe hetimin e ish-presidentes Park Geun-hye.
Një “exit poll” i zhvilluar nga 3 rrjete televizive e kanë vendosur atë të parin me 41.4% të votave, ndërsa rivali më i afërt i tij, konservatori Hong Joon-Pyo pritet të marrë vetëm 23.3% të votave.
Park Geun-hye akuzohet se ka lejuar një mikeshë të afërt të saj të zhvatë parà nga kompani të ndryshme, edhe pse ajo mohon të ketë kryer ndonjë shkelje ligjore.
Presidenti i ri, Moon Jae-in pritet të betohet ditën e mërkurë. Por kush është ai? Djali i refugjatëve nga Koreja e Veriut, Moon u burgos teksa ishte student në vitet ’70 për shkak se udhëhiqte protestat kundër regjimit ushtarak të Park Chung-hee, babait të Park Geun-hye.
Më vonë, ai shërbeu në forcat speciale të Koresë së Jugut, përpara se të bëhej avokat i të drejtave të njeriut. Ai ka shërbyer gjithashtu edhe si ndihmës i lartë i presidentit liberal Roh Moo-hyun, i cili u vetëvra në vitin 2009, pasi u largua nga detyra mes akuzave për ryshfet.
Moon, që vjen nga Partia e qendrës së majtë Demokratike, garoi pa sukses kundër Park në zgjedhjet e vitit 2012. Ai e pozicionon veten e tij si një person që mund ta çojë vendin përpara nga skandalet e periudhës së Park.
“Mendoj se, jo vetëm partia ime dhe unë, por edhe populli është i dëshpëruar për ndryshime në qeverisje”, tha ai teksa hidhte votën në kutinë e votimit.
Moon ka bërë thirrje për dialog më të gjerë me Korenë e Veriut, por duke ruajtur presionin dhe sanksionet e vendosura fqinjit komunist, ndryshe nga Park, e cila ndërpreu thuajse të gjitha lidhjet me ta. Ai ka qenë kritik i dy administratave të kaluara konservatore, të cilat sipas tij kanë dështuar të ndalin zhvillimin e armatimeve të Koresë së Veriut.
Por, ndërsa tensionet në gadishullin korean siguruan që zgjedhjet të ishin tejet të monitoruara, për koreano-jugorët prioritet ka qenë korrupsioni dhe ekonomia, ndërsa papunësia mes të rinjve është në nivele drastikisht të larta. Moon ka folur për reformimin e konglomerateve të fuqishme të drejtuara mbi baza familjare, të njohura si “chaebols”, të cilat dominojnë ekonominë vendase.
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...