Google ADS

Korea e Jugut eksportuesja më e madhe e testeve për COVID-19

15:46 | 22 Prill 2020
Arbresh Info

Eksportet e pajisjeve të testimit të koronavirusit nga Koreja e Jugut në 20 ditët e para të prillit arritën në 131,9 milionë dollarë

Koreja e Jugut rezulton të jetë eksportuesja më e madhe e testeve të koronavirusit të ri (COVID-19) gjatë pandemisë, duke eksportuar në të paktën 106 shtete pajisjet e domosdoshme mjekësore, transmeton arbresh.info.

Pas rritjes eksponenciale të kërkesës, eksportet e pajisjeve të testimit të koronavirusit nga Koreja e Jugut në 20 ditët e para të prillit arritën në 131,9 milionë dollarë, njoftoi sot agjencia e lajmeve Yonhap.

Sipas të dhënave të publikuara nga Shërbimi Doganor Korean, eksportet e testeve gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar arritën në 7,25 milionë dollarë.

Të dhënat tregojnë se Brazili, vendi që ka më shumë raste të konfirmuara me COVID-19 në Amerikën e Jugut, ka qenë importuesi më i madh, duke blerë teste me vlerë prej 19,2 milionë dollarë.

Pas Brazilit vjen SHBA-ja, vendi më i goditur nga pandemia, me importe në vlerë prej 15,5 milionë dollarë dhe Italia me 14,8 milionë dollarë.

– Miratimi ndërkombëtar

Testi i koronavirusit i prodhuar nga prodhuesja e madhe e Koresë së Jugut ka fituar miratimin urgjent nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave të SHBA-së (FDA).

Seegene Inc. njoftoi sot se FDA dha “Autorizimin e Përdorimit të Urgjencës” për pajisjen e tij të testimit të quajtur “Allplex”, e cila është “një test RT-PCR në kohë reale për SARS-CoV-2, koronavirusi i ri që është përgjegjës për sëmundjen COVID-19”.

Në kumtesën e kompanisë thuhet se Allplex ishte duke u përdorur si “një test standard për SARS-CoV-2” dhe se “kishte shitur tashmë mbi 10 milionë teste në nivel global në mbi 60 shtete”.

– Përshpejtimi i hulumtimeve

Koreja e Jugut njoftoi sot se do të investojë mbi 500 milionë dollarë për të mbështetur përpjekjet për zhvillimin e vaksinave.

Paratë do të investohen gjatë 10 viteve të ardhshme për të zhvilluar vaksina kundër sëmundjeve shumë ngjitëse. Mjetet do të përdoren për zhvillimin e infrastrukturës, përfshirë krijimin e qendrave shtetërore të kërkimit.

Në njoftim thuhet se ky veprim ka për qëllim rritjen e gatishmërisë së Koresë së Jugut kundër çdo pandemie të ardhshme.

Gjithashtu theksohet se Koreja e Jugut dëshiron të jetë e vetë-mjaftueshme në produktet thelbësore farmaceutike deri në vitin 2029, veçanërisht ato që nevojiten për sëmundje ngjitëse si COVID-19.

Sipas të dhënave qeveritare, Koreja e Jugut ka regjistruar gjithsej 10.694 raste të koronavirusit deri më tani, me 238 vdekje dhe 8.277 të shëruar./arbresh.info/AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme