Shefi i diplomacisë sllovene, Karl Erjavec, deklaroi se ministria që ai drejton ka përgatitur gjithçka që është e nevojshme për padinë kundër Kroacisë.
Kroacia, siç tha ai, nuk po e respekton vendimin e arbitrazhit për kufirin dhe të drejtat evropiane, për të cilin qeveria së shpejti do ta njoftojë Komisionin Evropian.
Erjavec shpjegoi se në përgatitjen e letrës drejtuar Komisionit Evropian, me elementet ligjore të padisë kundër Kroacisë për mosrespektimin e vendimit të arbitrazhit, ministria e tij bashkëpunoi me një firmë ligjore franceze dhe me avokatin Alain Pele, i cili më parë përfaqësonte Slloveninë në procesin e arbitrazhit.
Ai paralajmëroi se letra do t’i dërgohet KE-së menjëherë pasi që kryeministri Miro Cerar të premten do të njoftojë komitetin parlamentar slloven për çështje të jashtme dhe me këtë do të sigurojë mbështetjen e përgjithshme politike.
Gjykata e Arbitrazhit për mosmarrëveshjen kufitare kroate dhe sllovene ka dhënë një vendim në fund të qershorit dhe Kroacia është veçanërisht e shqetësuar për përcaktimin në det.
Gjykata vendosi që tri të katërtat e Gjirit të Piranës, i përkasin Sllovenisë, dhe se Sllovenia nëpërmjet ujërave territoriale kroate fiton qasje në det të hapur përmes një korridori prej dy milje e gjysmë nautike.
Gjykata vendosi gjithashtu se kufiri në Istria ndjek lumin Dragon dhe përfundon në mes të kanalit të Sv. Odorika, që do të thotë se Shkodelin, Buzhini dhe Mlini-Shkrile mbesin në Kroaci.
Në Kroaci po ashtu mbetet edhe Sveti Gera, ku ndodhet objekti kontestues ushtarak i ish-Armatës Popullore të Jugosllavisë, e cila u largua në vitin 1991, dhe pastaj u mor nga ushtria sllovene.
Kroacia, ndryshe nga Sllovenia, nuk e pranon vendimin për shkak se me vendim të Kuvendit u tërhoq nga arbitrazhi në vitin 2015, pasi u zbulua se përfaqësuesi slloven në Gjykatën e Arbitrazhit Jernej Sekolec dhe ministria sllovene e Punëve të Jashtme Simona Drenik ranë dakord për paraqitjen e argumenteve sllovene dhe lobimin me gjyqtarët tjerë të arbitrazhit.
Kroacia beson se procesi i arbitrazhit është kompromentuar në mënyrë të pakthyeshme dhe kërkon zgjidhjen dypalëshe të mosmarrëveshjes, ndërsa Sllovenia i kërkon Kroacisë të respektojë vendimin e gjykatës së arbitrazhit. /kp/Telegrafi/
Hovenier në takimin lamtumirës vizitoi kompleksin memorial t...
Egnatia fiton Superkupën e Shqipërisë, kompleton tripletën n...
Kinë/ Miratohet projekti për ndërtimin e digës më të madhe n...
Maqedonci: Sulmet nga Serbia janë të mundshme derisa Radoiçi...
Drenusha nuk e lë Gjestin të fle, i shkon në shtrat me tigan...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të Federatës së S...