Kongresi i CDU-së po zhvillon punimet në mënyrë virtuale. Në të zgjidhet kryetari i ri. Në fjalën e tyre kancelarja Merkel dhe kryetarja e partisë Kramp-Karrenbauer theksojnë ruajtjen e profilit si parti popullore.
“Një parti popullore e qendrës”: Kancelarja Angela Merkel e thotë këtë e po ashtu edhe kryetarja e partisë Annegret Kramp-Karenbauer. Tingëllon inkurajues dhe përbetues ky mesazh. Prej mbi 20 vjetësh partia kristiandemokrate (CDU) drejtohet nga gra periudhën më të gjatë nga Angela Merkel dhe 25 muajt e fundit nga Annegret Kramp-Karrenbauer. Në fjalimet e tyre të premten në mbrëmje (15.01) të dyja bënë një retrospektivë. Ndërsa të shtunën (16.01) pason votimi për zgjedhjen e njërit prej tre kandidatëve.
Kancelarja, në një fjalim prej 15 minutash drejtuar përmes videos 1001 delegatëve të kongresin digjital – sikurse është tipike për të – iu referua statistikave me një vështrim të shpejtë ndaj zhvillimeve golabe në 15 vjetët e saj si kancelare, por ajo nuk tha asnjë fjalë për tërheqjen e Kramp-Karrenbauer-it nga kryesimi i partisë. Fjalimi i kryetares së partisë u përqendrua disi më shumë tek vendimi për pasuesin, që ende mbetet i hapur. „Të mbështesim me vendosmëri kryetarin e ri, të qendrojmë të bashkuar”, apeloi Kramp-Karrenbauer.
Armin Laschet, Friedrich Merz, Norbert Röttgen janë tre konkurruesit për të pasuar Kramp-Karrenabauer. As Merkel dhe as Kramp-Karrenbauer nuk janë shprehur në mënyrë eksplicite se cilin prej kandidatëve preferojnë.
Ndonëse në kongresin virtual të CDU-së zyrtarisht nuk synohet zgjedhja e pasuesit të Merkelit. Por në të luftohet vetëm për kryesinë e partisë. Por meqënëse në sondazhet e fundit unioni konservator rezulton të jetë me distancë partia më e fortë, çështja e kancelarit automatikisht do të mendohet: Ai që do të jetë kryetari i CDU-së, parimisht duhet të jetë i përshtatshëm edhe për të qenë kandidati për kancelar.
Burrat katolikë nga landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë
Tre kandidatëjanë në garë për kryetar partie dhe duan të pasojnë kryetaren Annegret Kramp-Karrenbauer. Ata janë: Ish- kryetari i grupit parlamentar të CDU-së Friedrich Merz, kryeministri i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë Armin Laschet dhe eksperti i politikës së jashtme në CDU, Norbert Röttgen.
Ajo që kanë të tre të përbashkët është, se janë të tre katolikë dhe me familje e vijnë nga i njëjti land, Renania Verioe-Vestfalia. Që të tre janë polikisht për të ndjekur një kurs të qendrës me synimin që CDU-ja të përkufizohet qartazi dhe të mos ketë anim as djathtas nga AfD dhe as majtas nga partitë e majta.
Po ashtu që të tre ndajnë shqetësimin për të ardhmen e partisë së tyre, që shpesh mbetet pas në sfondin e ndryshimeve sociale. Ata kërkojnë më shumë digjitalizim dhe më shumë mbrojtje të klimës, duke e lidhur këtë fort me një ekonomi të fuqishme.
Politologu nga Trieri, Uwe Jun, përmbledhtasi dallimet mes të treve i formulon: „Merz është më shumë për konturimin e qartë të partisë, Laschet për tërheqjen e elektoratit të saj të qendrës politike, Röttgen për ripërtëritjen e partisë.”
Një vazhdimësi pa shkëputje nga politika e Merkelit me gjasë mund ta ofrojë Laschet. Merz, i cili në garën për kryesinë e partisë para gati dy vjetësh humbi me fare pak diferencë ndaj Kramp-Karrenbauer, me gjasë do ta ndryshojë partinë. Ai ka bërë thirrje në parti, që të shkëputet prej hijes së Merkelit. Ndonëse kancelarja i ka sjellë rezultate të mira partisë me menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, sipas Merz: „Më 26 shtator ne nuk do të zgjidhemi falë së shkuarës, po me pritshmëritë dhe shpresat për të ardhmen”.
Por sidoqoftë kur gjermanët do të zgjedhin në vjeshtë Bundestagun e ri (parlamentin), Angela Merkel do të lerë pas 16 vjet në postin e kancelares. Ajo ka parë presidentët e SHBA-së të shkojnë e vijnë, pesë kryeministra britanikë dhe shtatë kryeministra italianë. Përgjatë shumë krizave të kësaj periudhe ajo konsiderohej si shkëmb graniti përballë krizës europiane të borxheve shtetërore e deri më sot tek pandemia e koronavirusit. Pra kushdo qoftë pasuesi i Merkelit, atij do t’i duhen përpjekje të mëdha për të ecur në gjurmët e një nivelit të tillë./dw
Këto janë të gjitha çmimet që i ndau FFK-ja
SHBA thotë se shpërblimi për arrestimin e liderit të ri siri...
Aksident me vdekje në Durrës
Një grua raporton në polici rrëmbimin e djalit të saj për nj...
Sulmoi zyrtarin policor, arrestohet i dyshuari në Gjakovë
Tentim vrasje në Gjilan/ Një burrë sulmohet nga disa persona...