Konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme po ushqejnë interesimin e Turqisë për një rrugë të re tregtare Kinë-Evropë, të njohur me emrin Korridori i Mesëm.
Mbështetja e Turqisë për këtë korridor po rritet, ndërsa Ankaraja po bën një kthesë të madhe në marrëdhënien dikur të ngrirë me Pekinin.
Ndërsa lufta në Ukrainë nuk po jep shenja përfundimi, Ankaraja shikon një mundësi të re tek projekti Korridori i Mesëm, një rrugë tranziti që lidh Kinën me Evropën nëpërmjet Turqisë dhe që do të shmangte Rusinë dhe sanksionet e vendosura nga Perëndimi.
“Do të jetë një korridor alternativ për hekurudhën ruse Trans-Siberiane, që me sa kuptoj po bëhet një ide popullore, pasi sigurisht shumica e vendeve evropiane po përpiqen tashmë ta anashkalojnë Rusinë për të dërguar mallrat nga Kina në Evropë dhe anasjelltas”, thotë Cangas Ungor, profesore e shkencave politike në Universitetin e Marmarasë.
Në takimin e vitit të kaluar të udhëheqësve aziatikë, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e përmendi projektin me emrin zyrtar, duke nënvizuar kështu rëndësinë që i jep tashmë qeveria turke.
“Vlera e nismës për Linjën e Transportit Ndërkombëtar Trans-Kaspik është rritur prej zhvillimeve të fundit. Duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe njëkohësisht të përmirësojmë funksionimin e këtij korridori, për të mirën tonë të përbashkët”, tha Presidenti Erdogan.
Deti i Kuq është një tjetër trajektore alternative për tregtinë mes Kinës dhe Evropës dhe analistët thonë se sulmet e grupit huthi në Jemen, ndaj anijeve, për shkak të luftës Izrael-Hamas, e bëjnë edhe më tërheqës për Turqinë projektin e Korridorit të Mesëm.
Mbështetja turke për këtë korridor po rritet, ndërsa po përmirësohen edhe marrëdhënia Ankara – Pekin.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë patur gjithnjë ulje-ngritje. Por nëse i hedhim një vështrim sot, mund të shohim se marrëdhëniet mes Kinës dhe Turqisë po rriten në veçanti që nga vizita në Turqi e ministrit të Jashëtm kinez Wang Yi. Nuk ka të bëjë vetëm me motivimin dypalësh, por edhe me sistemin rajonal dhe global. Siç e dini, sistemi global po ndryshon”, thotë Diren Dogan, profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Alanya Alaaddin Keykubat”.
Marrëdhëniet e Turqisë me Kinën janë tensionuar për shkak të kritikave të Ankarasa për shtypjen nga Pekini të pakicës myslimane ujgure. Shumë prej disidentëve nga kjo popullsi kanë gjetur strehim në Turqi.
Por analistët thonë se tashmë Turqia po e zbut qëndrimin.
“Kina e shikon Turqinë si një vend me rrezikshmëri të lartë në rajon, për shkak të çështjes ujgure. Qeverisë turke iu desh të bëjë të ditur rishtazi, para Vitit të Ri, se preferon të mbajë marrëdhënie të mira me shtetin kinez, se sa të mbështesë plotësisht kauzën ujgure”, thotë Ceren Ergenc, nga Qendra për Studimet e Politikave Evropiane.
Analistët thonë se duhen tejkaluar pengesa domethënëse për Korridorin e Mesëm, për të cilin duhet harmonizimi i doganave mes vendeve nga kalon ai, si dhe shpenzime të mëdha për infrastrukturën.
“Problemi kryesor tani është aspekti financiar. Kush do të investojë tek Korridori i Mesëm?”, thotë zonja Ungor.
Presidenti turk Erdogan mund të përfitonte shumë nga influenca e tij në rajon dhe ai po forcon lidhjet me vendet e Azisë Qendrore. Analistët thonë se shndërrimi i Turqisë në një urë ekonomike mes Lindjes dhe Perëndimit do ta përshpejtonte këtë proces dhe do të sillte përfitime ekonomike./voa
Krasniqi-Kreut të SBASHK’ut: Sfidave të mësimdhënësve iu vje...
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Prokuroria në Prishtinë ngriti 121 aktakuza ndaj 126 persona...
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...
Parandalohet edhe një rast i kontrabandës me mallra
Vengu në Pentagon: Biseduam për financimin e kapaciteteve të...