Në Mynih debatojnë çdo vit nga 15-17 Shkurt të pushtetshmit e kësaj bote. Konferenca e Sigurisë nuk është vetëm një skenë e pushtetit, por edhe laborator i diplomacisë për mundësitë që ofrojnë takimet e dhomave të pasme.
Rreth 35 krerë shtetesh dhe qeverish, afër 80 ministra të Jashtëm e të Mbrojtjes, 600 ekspertë për politikën e sigurisë takohen në Mynih nga e premtja, 15-17 Shkurt. Drejtuesi i Konferencës, Wolfgang Ischinger flet për konferencën e sigurisë “më të madhe dhe më të rëndësishmen” prej më shumë se 50 vitesh që nga themelimi i saj. Të premten pasdite fillon programi 48 orësh i ngarkuar me takime e diskutime – presidentë, ministra të Jashtëm e të Mbrojtjes debatojnë, aleatët, por edhe ata nga kampet kundërshtare. Në të njëjtën kohë hapet një laborator i mundësive diplomatike, ku merren në shqyrtim pozicionet e verifikohen të përbashkëtat. Në dhomat e pasme, heshturazi dhe të pashqetësuar.
Kjo mundësi krijohet edhe për shkak të vendit, ku zhvillohet konferenca. Hoteli tradicional, “Bayerischer Hof” është i shtrirë në disa godina të ngritura njëra pas tjetrës në vite. Me kthesat e kthinat e shumta ai ofron një mundësi të mirë për diplomacinë e dhomave të pasme. Qilimë të trashë zbusin zhurmat, shkallë pafund dhe meskalime ofrojnë rrugë të mbrojtura për të kaluar në dhoma pa u parë nga reporterët. Drejtuesit e konferencës kanë rezervuar 100 dhoma vetëm për takime të tilla kokë më kokë.
Platformë për politikë operative
“Konferenca e Sigurisë në Mynih është një vend ku testohen idetë, ku mund të zhvillohen aleanca dhe të nisin përgatitje për të çuar përpara procese të paqes, ose edhe për t’i filluar ato”, sqaron drejtuesi i saj Wolfgang Ischinger me vetëbesim. E ai nuk ka parasysh vetëm programin e konferencës. Ky është vetëm “maja e ajsbergut”, thotë Ischinger. Po kaq të rëndësishme janë takimet pa media mes delegacioneve, janë ato që e bëjnë këtë konferencë një platformë të politikës operative.
Si shembull Ischinger përmend bisedimet për një marrëveshje kontrolli të armatimit nuklear, “New Start”. Negociatat për këtë marrëveshje rrodhën nga bisedimet e brendshme në kuadër të konferencës së vitit 2009 tha Ischinger për revistën “Internationale Politik”. Dy vite më vonë, Sekretarja e mëparshme e Departamentit të Shtetit, Hillary Clinton dhe homologu rus, Sergej Lavrov nënshkruan dokumentin e ratifikimit po në Mynih në kuadër të konferencës së atëhershme.
Nëse ofrohen hapësira me përkthyes në krah dhe mund të zhvillohen takime në mirëbesim, pa dashur të kalosh rrugën, krijohet mundësia për zhvillime të papritura. Pa përmendur detaje, Ischinger, thotë se amerikanët e kanë përdorur një mundësi të tillë, “për të biseduar njëherë drejt me iranianët”.
Rruga më e shkurtër për takime të shumta
Pra nëse salla ka mjaft vende bosh, kur të mbajë fjalimin kancelarja Merkel, kjo jo sepse pjesëmarrësit kanë shkuar të vizitojnë bukuritë e Mynihut, por se ata ndodhen në bisedime bilaterale. Vetëm në konferencën e vitit të kaluar u zhvilluan 2.200 takime bilaterale apo trilaterale. Tobias Bunde bashkëpërgjegjës për programin e konferencës thotë, se “për shumë qeveri ndërkohë konferenca e Mynihut është një rrugë mjaft eficiente dhe efektive për të takuar shumë krerë të tjerë qeverish brenda një kohe të shkurtër. Ndryshe për këtë do duhej të bëje shumë kilometra rrugë.”
Por në vend të diplomacisë së rafinuar dhe politikës së jashtme sot përdoren më shumë mesazhet në twitter. Presidenti Donald Trump i ka suprizuar shpeshherë aleatët e kundërshtarët, kur vendime të rëndësishme të politikës së jashtme i ka bërë të ditura përmes twitterit. Magjithatë këtë vit vjen në Mynih delegacioni më i madh amerikan që ka ardhur ndonjeherë në këtë konferencë. Krahas zvendëspresidentit, Mike Pence pritet edhe Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo, zëdhënësja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi. Kjo të bën të shpresosh, që edhe në Uashington kërkohen rrugë tjera përtej diplomacisë së twitterit.
Vullneti në rolin e gazetarit, merr në pyetje Atillën
Apeli vërteton aktgjykimin lirues për Sylejman Selimin dhe J...
Xabi Alonso kthehet në Anfield si kundërshtar
Pensilvania, historia e shtetit që vendos përherë fatet e Am...
Policia zvicerane kap 15 trafikantë droge në Verbier
Buja: E kam marrë vesh më vonë që Thaçi ishte anëtar i Shtab...