Google ADS

Komisioni Evropian iu bën thirrje platfomave dixhitale të bashkohen në një iniciativë, kundër mashtrimeve të konsumatorëve lidhur me COVID-19

14:02 | 6 Nëntor 2020
A. B.

Komisioni Evropian të sot u bëri thirrje platformave në internet që të bashkoheshin për një iniciativë të re kundër mashtrimeve të konsumatorëve lidhur me pandeminë COVID-19, ku u tha se në Evropë ata duhet të punojnë më shumë kundër përhapjes së dezinformimit në lidhje me pandeminë.

Ekzekutivi i Bashkimit Evropian thotë se tregtarët mashtrues janë përpjekur të shesin produkte në internet që paraqiten në mënyrë të gabuar si kura për koronavirusin ose parandalimin e infeksionit, me ç’rast mashtruesit kanë përdorur oferta për të vjedhur adresat e e-mailit dhe fjalëkalimet.

“Ne e dimë nga përvoja jonë e hershme që mashtruesit e shohin këtë pandemi si një mundësi për të mashtruar konsumatorët evropianë,” tha Komisioneri për Drejtësi Didier Reynders në një deklaratë, shkruan “Reuters” transmeton portali arbresh.info

“Ne duhet të jemi edhe më të shkathët gjatë valës së dytë që godet aktualisht Evropën,” shtoi ai pas një takimi me drejtuesit e platformës në të cilin i inkurajoi ata të bashkojnë forcat për të forcuar përgjigjen e tyre ndaj mashtruesve të mundshëm.

Platformat në internet që lidhen me Komisionin Evropian për të luftuar mashtrimet e konsumatorëve janë Allegro, Amazon, Alibaba / AliExpress, CDiscount, Ebay, Facebook, Google, Microsoft / Bing, Rakuten, Verizon Media / Yahoo dhe Wish.

Ajo tha se që nga marsi këto platforma kanë raportuar heqjen e qindra miliona ofertave dhe reklamave të paligjshme dhe konfirmuan një rënie të qëndrueshme në listat e reja të lidhura me koronavirusin.

Veçmas, Komisioni tha se një raport i ri tregoi se Facebook, Google, Microsoft, Twitter dhe TikTok kishin ndërmarrë “veprime të dobishme” për të luftuar informacione të rreme dhe mashtruese të lidhura me koronavirusin, por përmbajtja e dëmshme ishte akoma e pranishme në internet.

“Përhapja virale e dezinformimit në lidhje me pandeminë vë në rrezik shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve tanë,” tha Thierry Breton, Komisioneri për Tregun e Brendshëm, në një deklaratë.

“Ne kemi nevojë për bashkëpunim edhe më të fortë me platformat online në javët e ardhshme për të luftuar dezinformimin në mënyrë efektive. / arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme