Google ADS

Komisioni Evropian i jep Gjeorgjisë më shumë kohë për përmbushjen e prioriteteve të BE-së

11:04 | 14 Korrik 2022
E.H

Komisioni Evropian do të shtyejë vlerësimin e ardhshëm të përparimit të Gjeorgjisë drejt përmbushjes së prioriteteve të kërkuara përpara se të konsiderohet anëtarësimi në BE, duke i dhënë vendit më shumë kohë për t’i përmbushur ato.

Michael Rupp, një përfaqësues i drejtorisë së zgjerimit të Komisionit Evropian, më 13 korrik tha se shtyerja kishte për qëllim t’i jepte Gjeorgjisë “kohën e duhur për të punuar me kujdes” në përmbushjen e prioriteteve për të fituar statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian.

Komisioni tani do të vlerësojë zbatimin e hapave të kërkuar nga Gjeorgjia diku në vitin 2023 dhe jo në dhjetor të këtij viti, siç ishte menduar fillimisht.

Rupp tha se Komisioni ka qenë “shumë i interesuar” për të parë Gjeorgjinë të punojë “fort, thellë dhe tërësisht” mbi prioritetet.

Ai tha se zyrtarët e BE-së nuk donin të “nxitonin” Gjeorgjinë duke pasur parasysh mosmarrëveshjet politike në vendin e Kaukazit Jugor mbi mënyrat për të zbatuar programin 12-pikësh të Brukselit.

Shtyerja “do t’i japë sistemit politik të Gjeorgjisë kohën e duhur për të punuar me kujdes mbi këto prioritete”, tha ai.

Gjeorgjia është kapluar nga trazira me muaj, me dhjetëra mijëra njerëz që dolën në rrugët e Tbilisit për të protestuar ndaj asaj që opozita e sheh si dështim të qeverisë për të bërë përparim në reformat e kërkuara.

Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Irakli Garibashvili dhe formimin e një qeverie të re të “pajtimit kombëtar”.

Garibashvili ka thënë se qeveria e tij është “mobilizuar” për të përmbushur kërkesat e vendosura nga Brukseli “në mënyrë që të marrim statusin e kandidatit sa më shpejt të jetë e mundur”.

Komisioni Evropian tha se kushtet që Gjeorgjia duhet të përmbushë përfshijnë përfundimin e polarizimit politik, përparimin në lirinë e medias, gjyqësorin dhe reformat zgjedhore.

Sondazhet e opinionit tregojnë se të paktën 80 për qind e popullsisë gjeorgjiane favorizojnë planet për t’u bashkuar me BE-në, si dhe në NATO.rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme