Google ADS

Komisioni Evropian bën thirrje për mbrojtjen e gazetarëve

16:09 | 4 Shtator 2020
Arbresh.info

Gazetarët duhet të mbrohen gjatë punës së tyre dhe autoritetet kombëtare duhet të hetojnë të gjitha llojet e sulmeve kundër tyre, thanë sot nga shërbimi për media i Komisionit Evropian.

Zëdhënësi kryesor i institucionit, Eric Mamer dhe kolegu i tij përgjegjës për drejtësinë dhe çështjet e sundimit të ligjit, Christian Wigand, duke reaguar ndaj një portali grek që shënjestron stafin e Anadolu Agency (AA), thanë se Bashkimi Evropian (BE) ka “një angazhim të qartë ndaj pluralizmit dhe lirisë së medias”.

“Gazetarët duhet të mbrohen gjatë punës së tyre”, tha Wigand.

“Gazetarët duhet të lejohen të veprojnë edhe kur ka tensione (midis dy vendeve) në një mënyrë që lejon publikun të informohet”, shtoi Mamer. Ai gjithashtu theksoi se vendet anëtare të BE-së kanë përgjegjësinë për të siguruar këto të drejta të lirisë së shtypit.

“Në BE, ne kemi sundimin e ligjit dhe një sistem në vend ku vendet anëtare janë përgjegjëse për të kryer hetime mbi akuzat ose aktet e dhunës ndaj gazetarëve”, tha ai.

Portali anti-turk grek Turkikanea.gr botoi të mërkurën një editorial provokues, duke kërcënuar gazetarët e AA-së dhe duke i quajtur ata “spiunë”.

Korrespondenti dhe fotoreporteri i AA-së në Athinë udhëtoi në ishullin Meis për të mbuluar zhvillimet e fundit të kërkimit të energjisë në Mesdheun Lindor.

Portali grek gjithashtu ka publikuar fotografi të faqes së pasaportës së përfaqësuesit të AA-së, gjë e cila duhet të posedohet vetëm nga autoritetet greke.

“Përse lejojmë që spiunët turq agjentë të MIT (Agjencisë kombëtare të inteligjencës turke) të shkojnë në Meis? Përse lejuam që të shkelin në ishull? A nuk e dimë se çfarë duan të bëjnë këta agjentë të MIT? Shpresojmë që autoritetet të bëjnë atë që është e nevojshme!”, thuhet në tekstin e portalit.

Këshilli Global i Gazetarisë dje dënoi “aktin e shënjestrimit të pjesëtarëve të mediave”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme