Senatorja amerikane Kirsten Gillibrand i ka quajtur sulmet seksuale në ushtri një epidemi. Pentagoni po përpiqet ta trajtojë këtë problem duke filluar me një analizë të pavarur që do të hetojë këtë çështje.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin krijoi një Komision të Pavarur për të Hetuar Sulmet Seksuale në Ushtri. Dhjetë nga trembëdhjetë anëtarët e panelit janë gra.
Por kritikët thonë se komisione të tilla nuk kanë arritur të japin rezultate në të kaluarën.
“Unë mendoj se ajo që nuk është bërë në të kaluarën është të analizojmë se cilat praktika kanë funksionuar në ambjente të civilëve, që mund t’i provojmë në ushtri? Dha nga ana tjetër, cilat janë atributet e veçanta të mjedisit ushtarak që na mundësojnë të ndërmarrim hapa që nuk bëhen dot mes civilëve? Mendoj se ky krahasim është shumë i rëndësishëm. ”
Në mars, senatorja amerikane Kirsten Gillibrand drejtoi një seancë dëgjimore mbi sulmet seksuale në ushtri.
“Çdo gjeneral ose komandant që ka dalë përpara këtij organi në dhjetë vitet e fundit na ka thënë, ‘Po marrim masa, e kemi gjendjen nën kontroll’. Nuk është e vërtetë!”
Senatorja Gillibrand bëri presion në Senat për të ecur përpara me Ligjin për Përmirësimin e Drejtësisë në Ushtri, që ajo e ka paraqitur në vitin 2013, por ka ngecur.
Koloneli Don Christensen është president i grupit Protect Our Defenders – që punon për t’i dhënë fund përdhunimeve dhe sulmeve seksuale në ushtri:
“Mendoj se komisioni është një hap pozitiv përpara, besoj se do të sjellë ndryshim. Sistemi i drejtësisë ushtarake duhet të ndryshojë. Senatorja Gillibrand është përpjekur për miratimin e këtij legjislacioni që nga viti 2013. Dhe ka patur mbështetje dypalëshe. Është një nga nismat e rralla ku senatorët Elizabeth Warren dhe Ted Cruz janë në një mendje. ”
Në të kaluarën Pentagoni nuk e ka mbështetur propozimin e senatores Kirsten Gillibrand për të larguar komandantët nga procesi për miratimin e ndjekjeve penale në rastet e sulmeve seksuale. Zonja Rosenthal tha se komisionin i saj do ta shqyrtojë propozimin sepse të gjitha opsionet janë në tryezë:
“Unë mendoj se ajo që ndryshon sot është se nuk përjashtohet asnjë mundësi. Sekretari dhe presidenti kanë thënë që të gjitha opsionet duhet të jenë në tryezë dhe kjo është ndryshe sot. Ky është lloji i udhëheqjes që nuk kemi patur më parë”.
Luz Helena Thompson ishte në Marinë, duke shërbyer në Japoni kur tha se ishte sulmuar seksualisht. Ajo e raportoi incidentin në atë kohë por nuk foli publikisht deri 13 vjet më pas, kur takoi një aktiviste, e mbijetuar e sulmeve seksuale në ushtri, Trina McDonald.
McDonald u shfaq në një dokumentar të vitit 2012 me titull “Lufta e padukshme” rreth sulmeve seksuale në ushtri.
“Sekretari i Mbrojtjes Austin dëshiron të shohë një perspektivë të re, do të ketë në thelb një rikthim të vëmendjes tek kjo temë. Por pjesa e dhimbshme e saj është histori më vete. Për një kohë të gjatë nuk u bë asgjë. Dhe mendoj se pjesa fatkeqe është se do të detyrojë shumë të mbijetuara që të flasin hapur për traumën e tyre, në mënyrë që të ketë ndryshim”, thotë ajo.
“Por problemi është se flitet shumë dhe nuk veprohet sa ç’duhet. Dhe ne shpresojmë që ndoshta ka ardhur koha kur mbarojnë fjalët dhe fillojnë veprimet“, thotë e mbijetuara Luz Helena Thompson.
Sipas raportit vjetor të Pentagonit, numri i rasteve të sulmeve seksuale në ushtrinë amerikane në 2019 u rrit me 3% krahasuar me vitin 2018, duke arritur në 7825./VoA/
Arioni surprizohet nga motra e tij në Big Brother, ja takimi...
Paris Saint-Germaini merr një fitore komode ndaj Toulouse
Konfiskimi i armatimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dh...
Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve dhe përse konsider...
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të s...
Reshjet e borës, zv.ministri Durmishi: Ekipet e mirëmbajtjes...