Shërimi i Aleksej Navalnit do të zgjasë shumë. Por pasojat e asaj që kancelarja Angela Merkel e quajti një atentat janë ndoshta edhe më serioze dhe më të qëndrueshme, thotë Konstantin Eggert.
Shoqëria ruse duhet të kishte qenë e para që të reagonte ndaj krimit të kryer kundër Aleksej Navalnit. Por është krejt jorealiste që dhjetëra mijëra vetë të thërrasin “Ne nuk do të harrojmë, nuk do të falim” në portat e Kremlinit, siç bëjnë zakonisht gjatë protestave anti-Putin.
Opinioni publik rus ka shumë të ngjarë të jetë indiferent ndaj fatit të Navalnit, si luftës së popullit “vëlla” të Bjellorusisë për të drejtat e tij civile. Rusët janë të zënë me pandeminë Corona, shqetësohen për vendet e tyre të punës dhe për të ardhmen e familjeve të tyre. Shumë janë thjesht të frikësuar. Sepse ajo që i ndodhi liderit të opozitës i shërbeu njëkohësisht qëllimit të paralajmërimit të të gjithë aktivistëve: “Kjo bën vaki, kur e pengoni pushtetin!”
Frika mbetet një mjet vendimtar politik në Rusi. Por për shumë njerëz, veçanërisht për të rinjtë dhe njerëzit që mendojnë politikisht, helmimi do të jetë një moment historik, një zgjim politik – momenti kur u rrëzuan të gjitha shpresat për shndërrim të rregullt.
Ky është gjithashtu një moment kritik për mbështetësit e Navalnit. Ata me siguri do ta vazhdojnë luftën e tyre kundër zyrtarëve të korruptuar në vend, përfshirë rrethin e ngushtë të Vladimir Putinit. Navalni është shumë më tepër sesa thjesht një “bloger”, siç preferojnë ta quajnë propaganduesit e Kremlinit. Ai është një politikan për ta marrë seriozisht, që ka formuluar një agjendë alternative politike dhe ekonomike për Rusinë. Edhe sikur të tërhiqet vetëm përkohësisht nga skena politike, kjo do të ishte një goditje për të gjithë kritikët e Kremlinit. Sepse është e vështirë ta zëvendësosh Navalnin.
Pyetja është se sa të vendosur dhe të organizuar janë mbështetësit e tij. Pamundësia e tyre për të fituar një mbështetje të gjerë popullore ka gërryer tradicionalisht të gjitha lëvizjet ruse të opozitës – duke filluar me kryengritjen “Dekabristët” e 1825.
Fundi i mentalitetit post-sovjetik
A do të jetë ndryshe këtë herë? A ka ndryshuar me të vërtetë Rusia në 30 vitet e kaluara – në kohën më të lirë dhe më të begatë në historinë e saj më shumë se një mijë vjeçare? Kur sheh se çfarë po ndodh në Bjellorusi dhe Ukrainë, mentaliteti post-sovjetik padyshim që po i hap rrugë një ndërgjegjësimi të ri. Herët ose vonë kjo do të prekë edhe rusët. Por ndoshta ende jo tani.
Situata është një sfidë për Gjermaninë, Bashkimin Evropian dhe Perëndimin në tërësi. Angela Merkel e ka kuptuar se ajo duhet të shkojë përtej shprehjeve të zakonshme të shqetësimit, me të cilat Kremlini është mësuar nga Berlini dhe kryeqytetet e tjera të BE – dhe ajo e di që vetëm deklarata e saj e javës së kaluar nuk është e mjaftueshme.
Ndjenja të ndara në Evropë
Putini është i vetëdijshëm se BE është i ndarë për Rusinë. Ka nga ata që besojnë se pas Gjeorgjisë, Krimesë, Donbasit, rrëzimit të fluturimit MH17, vrasjes së Boris Nemcovit dhe ndërhyrjes në Siri, ndaj Moskës mund të diskutohet vetëm vija më e ashpër. Këto janë mbi të gjitha vendet e Evropës Qendrore Lindore dhe Baltike.
Pastaj ka nga ata që besojnë se në të gjitha rrethanat është e nevojshme të “përfshihet” Rusia. Sepse pa pjesëmarrjen e saj nuk mund të zgjidhet konflikti në Siri, të pajtohet Libia, të ruhet marrëveshja bërthamore me Iranin, e kështu me radhë.
Zëri i Berlinit, së bashku me atë të Parisit, është një nga më të fuqishmit dhe më me ndikim në grupin e dytë. Vetëm disa ditë më parë, Merkeli tha se gazsjellësi Nord Stream 2, projekti kryesor i Gazprom-it në Evropë, do të duhej të përfundonte megjithë zhvillimet aktuale.
Putini e ka parë gjithmonë këtë si dëshmi se gjermanët dhe BE në tërësi janë të dobët, megjithë paparashikueshmërinë politike dhe ushtarake të Kremlinit. Dhe se para së gjithash ata janë të varur nga gazi i Gazpromit. Fakti që BE – me përjashtim të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë – nuk ka vendosur madje as sanksionet e paralajmëruara kundër regjimit të Lukashenkos konfirmon bindjen e Putinit se qëndrimi i paepur dhe ashpërsia janë instrumentet e duhura kur ke të bësh me BE.
Sa të vendosur po reagojnë BE dhe NATO?
Askush nuk i beson vërtet një hetimi objektiv dhe transparent për helmimin e Navalnit nga Moska. Pyetja kryesore është se sa me vendosmëri reagojnë Gjermania dhe aleatët e saj në BE dhe NATO.
Për shkaqe diplomatike, ata mund të dëbojnë disa oficerë të shërbimit të fshehtë rus, siç u bë në vitin 2018 pas sulmit me helm ndaj agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij. Sidoqoftë, kjo duhet ta bindte Kremlinin se pas disa muajsh gjithçka do të kthehet në normalitet.
Ndjenjat e hakmarrjes si rezultat i sanksioneve
Sanksione më të rrepta – për shembull fundi i Nord Stream 2 – ka të ngjarë të shkaktojë ndjenja hakmarrjeje në Kremlin. Shkallëzime të reja dhe provokimi i tensioneve janë përgjigjja më e mundshme e Moskës, nëse Perëndimi ndërmerr veprime të ashpra.
Në masat e mundshme bëjnë pjesë tërheqja nga Marrëveshja e Minskut për Ukrainën, një shenjë demonstrative e mbështetjes për Lukashenkon në luftën kundër popullit të tij si dhe arrestime masive të mbështetësve të Navalnit në Rusi. E gjithë kjo do t’i shërbente qëllimit të ngjalljes së ndjenjave të fajit midis evropianëve dhe detyrimit të tyre për të rifilluar dialogun.
Duke marrë përgjegjësinë për fatin e Nawalnit, qeveria gjermane ka marrë gjithashtu një barrë morale. Ajo është aq e rëndë sa duket pothuajse e pamundur të shpëtosh prej saj pa dëmtime të përhershme./DW
Hiqet nga përdorimi lënda djegëse e mazutit, vendosen panele...
Nagavci nënshkruan kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dh...
“Ishte vërtet e vështirë siç prisja të ishte”, deklarata e J...
Hamza nesër tubim në Zvicër: Pa diasporën, Kosova nuk do të ...
Trump emëroi 27-vjeçaren Karoline Leavitt si zëdhënëse të Sh...
Hoxha: Polici efektive në luftën ndaj krimit dhe e afërt me ...