Koment nga ish-diplomati gjerman: Po rikthehet “i sëmuri” i Europës

20:51 | 29 Gusht 2018
Arbresh.info

Një nga çështjet më të mëdha gjeopolitike të Europës në shekullin e 19-të ishin të ashtuquajturat Çështje Lindore. Perandoria Osmane, që në atë kohë quhej “i sëmuri i Europës”, po shpërbëhej në mënyrë të shpejtë.

Tashmë mbetej për t’u parë se cila fuqi Europiane do ta zëvendësonte. Nuk ishte rastësi që vetëshkatërrimi që erdhi me Luftën e Parë Botërore e pati zanafillën nga Ballkani, fushëbeteja gjeopolitike e osmanëve, austro-hungarezëve dhe perandorisë ruse.

Lufta bëri që të gjitha fuqitë e mëdha të shihnin shkatërrimin e tyre. Gjatë copëtimit të Perandorisë Osmane nga aleatët, gjenerali Mustafa Qemal Ataturk dhe ushtria e mposhtur turke u tërhoqën në Azinë e Vogël, ku shtypën me sukses një ndërhyrje nga Greqia dhe pastaj refuzuan Traktatin e Sevrës. Ky i fundit u zëvendësua më pas nga Traktati i Lozanës, i cili hapi rrugën për themelimin e Republikës së Turqisë.

Ambicia e Ataturkut ishte ta kthente Turqinë në një vend modern, laik, që do të ishte pjesë e Europës dhe Perëndimit, jo e Lindjes së Mesme. Për të arritur këtë qëllim ai udhëhoqi me rend autoritar dhe krijoi një shtet hibrid, të bazuar de fakto në sundimin ushtarak, dhe me demokraci pluraliste. Në vazhdim, gjatë shekullit të njëzetë, kjo formulë prodhoi kriza të përsëritura, të cilat bënë që demokracia turke të ndërpritej herë pas here nga diktatura ushtarake.

Pas vitit 1947, politika turke nisi të ndikohet shumë nga Lufta e Ftohtë. Në vitin 1952 Turqia iu bashkua NATO-s dhe u bë një nga aleatët më të domosdoshëm të perëndimit, i cili ka përdorur për disa dekada pozicionet strategjike të Turqisë në Mesdheun Lindor dhe në Detin e Zi, duke siguruar kështu krahët e Europës nga përparimet e mundshme të Bashkimit Sovjetik.

Por prapë, Turqia mbeti një vend me politikë të paqëndrueshme. Luhatjet e vazhdueshme midis demokracisë dhe diktaturës ushtarake e cunguan shumë procesin e modernizimit. Për turqit që mbështesnin demokracinë, shpresa më e mirë për të ardhmen e vendit ishte Europa. Anëtarësimi zyrtar në BE do të shënonte përfundimin e suksesshëm të procesit të modernizimit. Edhe pse osmanët e kishin sunduar Lindjen e Mesme për një shekull, Turqia duhej të bëhej anëtare zyrtare e perëndimit.

Në vitin 1995 Turqia krijoi një bashkim doganash me BE-në. Në vitin 2002, kur erdhi në pushtet partia AKP (partia e Erdoganit, Partia për Zhvillim dhe Drejtësi Islame) , vendi dukej se i kishte kthyer sytë përfundimisht nga Europa. Në bashkëpunim me lëvizjen e klerikut islamik, Fetullah Gylen, qeveritë e AKP, të drejtuar nga Erdogan si kryeministër, vazhduan me reformat e kërkuara nga BE në ekonomi, në institucione dhe në gjyqësor, duke hequr madje edhe dënimin me vdekje, një parakusht thelbësor për t’u anëtarësuar në BE.

Gjatë viteve të para me Erdoganin si kryeministër, Turqia pa një zhvillim të fortë ekonomik dhe modernizim të shpejtë, gjë që e solli më afër me BE-në. Në vitin 2011, kur nisi Pranvera Arabe, Turqia shihej si demokracia islamike që duhej të ndiqej si shembull, ku zgjedhjet e lira kombinoheshim më së miri me rendin ligjor dhe me ekonominë e tregut të lirë.

Sot, shtatë vite më vonë, duket sikur po flasim për një botë tjetër. Turqia po i rikthehet me shpejtësi  emërtimit të mëparshëm, “i sëmuri i Europës”. Me atë vendndodhje gjeografike ideale, me potencialin e madh njerëzor dhe ekonomik që ka, Turqia duhej të ishte duke lëvizur drejt një të ardhmeje të shkëlqyer në shekullin e 21-të. Por tani po shkon prapa, drejt shekullit të 19-të, nën parullat e nacionalizmit dhe orientalizmit. Në vend që të përqafojë modernizimin perëndimor, Turqia po bëhet njësh me Lindjen e Mesme dhe me krizat e shumta të atij rajoni.

Erdogani, i cili e mori presidencën në vitin 2014, e ka udhëhequr Turqinë si gjatë modernizimit të shpejtë, ashtu edhe gjatë kthimit pas, me hapa po aq të shpejtë. Ai pati mundësinë të ndiqte hapat e Ataturkut dhe të integronte Turqinë me perëndimin, por dështoi.

Çfarë shpjegon kjo tragjedi? Një mundësi është që Erdogani ka fituar vetëbesim të tepruar pas zhvillimit ekonomik që erdhi para krizës financiare të vitit 2008. Një tjetër shpjegim është që mund të ketë mbledhur mëri ndaj perëndimit, për shkak të vonesave me proceset e integrimit në BE, si dhe për shkak të ambicieve të veta për pushtet, të cilat i ndoqi me sukses pas tentativës për grusht shtetit ushtarak në verën e vitit 2016.

Cilado qoftë arsyeja, Erdogani ka çuar dëm një mundësi të papërsëritshme si për Turqinë, ashtu edhe për botën islame. Lira turke po vuan një zhvlerësim të madh, problem që Turqia e krijoi me duart e veta. Madje, mund të shkojë edhe drejt falimentimit ekonomik. Sa më shumë e ndan besnikërinë midis Lindjes dhe Perëndimit, aq më shumë rrezikon Erdogani të destabilizojë Lindjen e Mesme. Konfliktet e brendshme etnike të Turqisë, sidomos me kurdët, kanë dalë sërish në sipërfaqe e madje shumë të dhunshme, edhe pse përvojat e të shkuarës kanë treguar se këto konflikte nuk zgjidhen dot me ushtri. Falë Erdoganit, Turqia tani është bërë pjesë e problemit në atë rajon, kur mund të kishte qenë pjesë e zgjidhjes.

Megjithatë, Turqia mbetet me rëndësi të madhe strategjike për Europën. BE-ja ka me miliona qytetarë me origjinë turke dhe Turqia do të vazhdojë të jetë urë midis Lindjes dhe Perëndimit, Jugut dhe Veriut. Nën regjimin e Erdoganit, Turqia nuk është më një kandidate e vlefshme për në BE. Por në vend që t’ia ndërpresë plotësisht procesin e anëtarësimit, BE duhet ta ndihmojë vendin që të stabilizohet e t’i shpëtojë demokracinë.

Fundja, gjëja e fundit që do Europa është të ketë një Turqi të destabilizuar. Sado simpati apo antipati të kenë për Erdoganin, siguria e Europës varet shumë nga Turqia, e cila ka mbledhur tashmë me miliona emigrantë dhe refugjatë që janë larguar nga Lindja e Mesme. Për hir ruajtjes së stabilitetit evropian dhe të demokracisë në Turqi, BE-ja duhet të angazhohet me durim dhe pragmatizëm, duke u bazuar te parimet e veta demokratike./TCh./

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme