Google ADS

Kjo është procedura në rast se vendoset të shkarkohet Trump pas skandalit me hetimet për Biden

14:31 | 27 Shtator 2019
A. B.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi njoftoi të martën një “hetim zyrtar për të nisur procedurat e shkarkimit” ndaj Presidentit Donald Trump, duke përshkallëzuar një përplasje të gjatë mes ligjvënësve demokratë dhe Shtëpisë së Bardhë mbi shkeljet ligjore të dyshuara të presidentit. Njoftimi pasoi zbulimet e një telefonate të presidentit Trump më 25 korrik me presidentin e Ukrainës në të cilën i kërkon atij që të hetojë kandidatin e ardhshëm demokrat, Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter.

Zëri i Amerikës shpjegon procedurën dhe hapat e një procesi shkarkimi.

Kjo i referohet procesit kushtetues të shkarkimit të një presidenti në detyrë. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara i jep Kongresit fuqinë për të shkarkuar një president për “tradhti, ryshfet ose krime të tjera të larta dhe shkelje”. Ndërsa nuk ka një përcaktim të vetëm të frazës “krime të larta dhe shkelje”, në përgjithësi kuptohet se aty përfshihen veprime që shkelin betimin e postit dhe besimin e publikut. Procesi i shkarkimit fillon me akuza zyrtare të ngritura në Dhomën e Përfaqësuesve dhe përfundon me një gjykim në Senat ku dy të tretat e senatorëve duhet të votojnë për të dënuar presidentin.

Kjo do të ishte përpjekja e katërt e procedurave të shkarkimit në histori. Ish-presidentët Andrew Johnson dhe Bill Klinton iu nënshtruan kësaj procedure dhe u sollën para gjykimit në Senat, por më pas fituan pafajësinë. Ish Presidenti Richard M. Nixon dha dorëheqjen përpara se të fillonte procedura për shkarkim nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Çfarë ndodhi të martën?

Për të qenë të saktë, ajo që bëri zonja Pelosi është të paktën disa hapa larg veprimit zyrtar kundër presidentit Trump. Duke kërkuar një hetim zyrtar për fillimin e procesit të shkarkimit, zonja Pelosi solli gjashtë hetimet që po kryen nga Dhoma e Përfaqësuesve nën një rubrikë të re. Ajo udhëzoi kryetarët e gjashtë komisioneve të Dhomës – atij të Inteligjencës, Gjyqësorit, Mbikëqyrjes së Qeverisë, Punëve të Jashtme, Mënyrat dhe Mjetet dhe Shërbimet Financiare – të shpejtojnë hetimet e tyre për të përcaktuar nëse do të fajësojnë presidentin Trump.

Pse vendosi kryetarja Pelosi të veprojë tani?

Për muaj të tërë, zonja Pelosi u rezistoi thirrjeve nga shumë anëtarë liberalë të partisë së saj për të nisur procedurat për shkarkimin e presidentit. Pika e kthesës erdhi kur detajet e thirrjes telefonike të presidentit Trump me homologun e tij të Ukrainës dhe një ankesë nga një zyrtar i inteligjencës për përmbajten e bisedës u publikuan në shtyp këtë muaj. Më pas, një grup prej tetë demokratësh të moderuar që më parë kishin kundërshtuar procesin e shkarkimit, shkruanin një artikull këtë javë duke thënë se tani janë në favor të procedurave.

Si do të ndikojë kjo hetimet që po zhvillohen?

Administrata deri më tani refuzoi të bashkëpunonte me gjashtë hetimet e komisioneve të ndryshme të Dhomës së Përfaqësuesve, duke refuzuar fletë-thirrjet për të dhënë dëshmi. Sipas Susan Low Bloch, një konstitucionaliste në Universitetin Georgetown, me fillimin e hetimit për të nisur procedurat e shkarkimit, gjykatat ka më shumë të ngjarë të vendosin në favor të të drejtave të Kongresit për të detyruar dhënien e dëshmive.

Cilët janë nenet e procesit të shkarkimit, dhe si mund t’i përdorë Dhoma e Përfaqësuese kundër presidentit?

Nenet e procesit të shkarkimit janë akuza zyrtare kundër një presidenti që paraqiten në Dhomën e Përfaqësuesve. Për miratimin e tij është e nevojshme vetëm një shumicë e thjeshtë. Në çështjen e ngritur ndaj presidentit Bill Klinton në vitin 1998, Dhoma e Përfaqësuesve mori në konsideratë katër nene të ligjit, por në fund miratoi dy prej tyre, duke e akuzuar atë për gënjeshtrën e një jurie të madhe dhe pengimin e drejtësisë.

Sa pranë është një votim në komisionin juridik të Dhomës së Përfaqësuesve dhe veprimeve nga e gjithë Dhoma?

Ndërsa administrata përpiqet të pengojë hetimet, hetimi zyrtar për fillimin e procesit të shkarkimit ka të ngjarë të zgjasë me muaj. Edhe nëse gjykatat e ulëta vendosin në favor të Dhomës së Përfaqësuesve, Shtëpia e Bardhë mund ta çojë çështjen deri në Gjykatën e Lartë ku gjyqtarët e emëruar nga republikanët kanë ndikim. Procesi i shkarkimit nuk është i dhënë, thotë Norman Ornstein, një studiues në Institutin konservator American Entreprise.

“Ajo që kemi përpara është një proces që përpiqet të vonojë veprimet për sa kohë të jetë e mundur.” Në fund të fundit: Mos prisni një votim të shpejtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Cili është procesi i gjykimit në Senat?

Pasi Dhoma e Përfaqësuesve të miratojë një ose më shumë nene të ligjit për shkarkimin e presidentit, procesi zhvendoset në Senat ku zhvillohet një proces gjyqësor. Procesi drejtohet nga nga kryetari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Anëtarët e komisionit juridik të Dhomës së Përfaqësuesve shërbejnë si prokurorë, ndërsa presidenti përfaqësohet nga avokatët e tij të mbrojtjes. Duhen dy të tretat e senatorëve për të dënuar Presidentin për çdo akuzë. Republikanët aktualisht kanë një shumicë në Senat (53 – 47). Nëse presidenti shpallet fajtor, ai do të shkarkohej nga detyra dhe do të zëvendësohej nga nënpresidenti.

Cili është qëllimi për fillimin e procesit të shkarkimit të presidentit nëse Senati, i kontrolluar nga republikanët nuk do të dënojë një president republikan?

Është një pyetje që bëhet shpesh, dhe që iu drejtua zonjës Pelosi të martën pasi ajo njoftoi hetimin për fillimin e procedurave të shkarkimit të presidentit. Për shumë demokratë, veprimi ka të bëjë me parimet, pasi janë betuar të mbështesin Kushtetutën dhe të mbrojnë republikën, thotë Melanie Sloan, një këshilltare e lartë në American Oversight, një organizatë jopartiake e etikës.

Cilat janë rreziqet për demokratët?

Me vetëm 6% të votuesve republikanë në favor të procedurave të shkarkimit dhe shumicës së senatorëve republikanë në mbështetje të presidentit, perspektiva e një përpjekjeje të dështuar për shkarkimin e presidentit mund të ketë pasoja kundërvepruese për demokratët, duke e lejuar presidentin Trump të pretendojë pafajësi dhe të forcojë perspektivat e tij të rizgjedhjes për vitin 2020. Bill Clinton i mbijetoi procesit të shkarkimit në vitin 1998, dhe partia e tij arriti të thellonte fitoren në zgjedhjet afatmesme më pas.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme