Google ADS

Kinë, ulen rastet me COVID-19, nxënësit kthehen në shkolla

12:49 | 28 Prill 2020
Arbresh Info

50 mijë nxënës të shkollave të mesme në Pekin filluan mësimet. Në Shanghai po ashtu shkollat u hapën për klasën e 9-të dhe të 12-të

Në kryeqytetin kinez Pekin dhe në qytetin Shanghai nxënësit sot u kthyen në shkolla, pasi rastet e koronavirusit të ri (COVID-19) shënuan rënie të ndjeshme, transmeton arbresh.info.

Siç raporton agjencia kineze e lajmeve Xinhua, 50 mijë nxënës të shkollave të mesme në Pekin filluan mësimet. Në Shanghai po ashtu shkollat u hapën për klasën e 9-të dhe të 12-të.

Zyrtarët e Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës (NHC) thanë se provinca Hubei, ku u shfaq për herë të parë koronavirusi, dje nuk raportoi asnjë rast të ri të koronavirusit.

Zyrtarët njoftuan se jashtë Hubei-t u konfirmuan vetëm tre raste të reja, nga të cilët dy u importuan, me çka numri i përgjithshëm i rasteve u rrit në 1.636.

NHC njoftoi se në Pekin të paktën një person vdiq në 24 orët e fundit.

Rreth 1.009 pacientë, të cilët janë raste të importuara të koronavirusit, janë shëruar dhe janë lëshuar nga spitali. Aktualisht në spital po trajtohen 627 pacientë, prej të cilëve 22 janë në gjendje të rëndë.

“Numri i rasteve COVID-19 të transmetuara brenda vendit në territorin kinez ka rënë nën 100”, tha për mediat në Pekin zëdhënës i NHC-së, Mi Feng.

Kina deri më tani ka raportuar gjithsej 82.830 raste të konfirmuara të koronavirusit, me gjithsej 4.663 vdekje. 77.474 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar nga spitali.

Autoritetet në Pekin po ashtu lejuan agjencitë e udhëtimit të rifillojnë turnet grupore në qytet gjatë festës së Ditës së Majit.

Megjithatë, autoritetet lokale u kërkuan banorëve që të mos largohen nga qyteti ose të udhëtojnë jashtë vendit gjatë festës së ardhshme.

Lehtësimi i kufizimeve pas rënies së rasteve të reja të infeksionit po ashtu i lejon legjislaturës së lartë të Kinës të fillojë seancën e saj të rregullt. Seanca e parë për të shqyrtuar projekt-ligje të shumta dhe rishqyrtime të ligjeve u mbajtë dje pasdite.

Po ashtu edhe Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës sot zbuloi se fitimet industriale të këtij vendi në tremujorin e parë të këtij viti shënuan një rënie prej 36,7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kina sugjeron hetim të OBSH-së për trajtimin e pandemisë nga SHBA

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Geng Shuang, tha se vendi i tij është “viktimë e dezinformatave dhe jo inciator”.

Reagimi i tij vjen pasi një raport i Bashkimit Evropian (BE) akuzoi Pekinin për “përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me koronavirusin”.

Duke kërkuar nga Washingtoni t’i përgjigjet “dyshimeve në rritje” të pretenduara në publikun amerikan mbi masat “joefikase dhe të meta” të qeverisë amerikane kundër koronavirusit, Geng tha se, “Nëse OBSH mund të fillojë një hetim në këto kufizime, përfshirë edhe atë kur sëmundja filloi të shndërrohet në epidemi në SHBA dhe çfarë po fsheh qeveria amerikane”.

Duke kritikuar fushatën e SHBA-ve “Sulmo Kinën”, Geng tha se Kina fuqishëm kundërshton “disa njerëz dhe forca amerikane që përdorin Kinën për të mbledhur vota ose për të njollosur Kinën duke përdorur pandeminë COVID-19 si një justifikim”.

Ai po ashtu konfirmoi se Pekini dërgoi “disa teste në Korenë e Veriut”.

Janë ngritur pyetje mbi mungesën misterioze të udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un nga shfaqja në publik. Pheniani nuk ka raportuar asnjë rast të koronavirusit në vend.

Zyrtarët kinezë thanë se do të organizojnë pesë fluturime në SHBA, Itali dhe Spanjë për të kthyer në shtëpi 900 shtetas kinezë, shumica e të cilëve janë studentë.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme