Kinë – SHBA: Takim i nivelit të lartë në fund të muajit mars?

12:34 | 5 Mars 2019
Arbresh.info

Indeksi i Nikkei-t në Tokio ka një rritje prej 1 përqind, bursat e Shangait dhe Shenzenit tre përqind, dhe DAX-i në Frankfurt e filloi këtë javë me një rritje të vogël.

Vëzhguesit e tregut flasin në mënyrë unanime se ekzistojnë shpresat për t’ i dhënë fund konfliktit tregtar të SHBA me Kinën. Shpresat i referohen një raporti të “Wall Street Journal”. Gazeta ekonomike pati njoftuar se duke patur parasysh përparimet e bëra, presidenti Donald Trump dhe kolegu i tij kinez Xi Jinping do të takohen në fund të marsit në Florida.

Në takimin e nivelit të lartë mund të nënshkruhet madje një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit të doganave. Kina, do të ulë taksat mbi importet amerikane si për shembull prodhimet bujqësore, kimike dhe automjetet, shkruan “Wall Street Journal” duke iu referuar njoftimeve nga të dyja palët. Si shpërblim SHBA mund të heqë taksat ndëshkuese mbi importet nga Kina. Pjesë e marrëveshjes mund të jetë edhe një deal që pritet të bëhet në nivelin e 18 miliardë dollarëve, për të furnizuar Kinën me LPG, gaz të lëngshëm. Megjithatë si nga qeveria amerikane ashtu edhe nga udhëheqja kineze ka kritika se kushtet për palën tjetër, janë shumë të favorshme.

Nuk ka më ultimatum

Së fundi ka pasur sinjale politike për bisedimet midis përfaqësuesve të qeverive amerikane dhe kineze. Ministri amerikan i financave Steven Mnuchin pati deklaruar se është duke u punuar aktualisht në një marrëveshje të detajuar tregtare, e cila do të duhet të ecë përpara javën e ardhshme. Për këtë arsye Trump hoqi dorë nga ultimatumi, sepse deri në fillim të marsit do të bihej dakord në çështjet për të cilat janë duke u bërë grindje prej muajsh. Tarifat më të larta mbi mallrat e importuara kineze në vlerë prej 200 miliardë dollarësh, nuk diskutohen më.

Reagimet e tregjeve financiare në Japoni për raportimin e një menaxheri fondesh në Tokio me fjalët: “Çdo shenjë përparimi është pozitive për firmat japoneze, sepse fitimet e tyre do të lëkundeshin nga rënia e kërkesës në gjithë botën”. Ky menaxher është Fumio Mastumoto, administrues pasurish nga Daltoni. Sipas njoftimeve bisedime bëhen ende për politikën industriale të Kinës, kompanitë kineze, sidomos format shtetërore që sipas pikëpamjeve të SHBA, kanë avantazhe në konkurrencën që nuk është e barabartë. Rreth 30 nga më shumë se 100 faqe të letrave të punës së bisedimeve kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të autorit.

Mbledhje e Kongresit

Mbas kësaj të marte, grindja tregtare do jetë temë e Kongresit të sivjetshëm të popullit kinez. Si sinjal për parneritetin ndërkombëtar ekziston një ligj i ri për investimet e firmave të huaja, i cili duhet t’ i ndalojë autoritetet që të fusin ilegalisht hundët në praktikat e biznesit të kompanive të huaja. Në këtë mënyrë duhet qetësuar SHBA, e cila akuzon Kinën se i vjedh idetë.

Delegatët e Asamblesë që nuk kanë pushtet do të dëgjojnë ditën e martë raportin e kryeministrit, Li Keqiang. Pritet që kryeministri të japë synimet e zhvillimit për ekonominë e dytë për nga madhësia të botës, i cili do të jetë më i ulët. Vitin e kaluar Li pati dhënë si synim rreth “6,5 përqind” rritje ekonomike dhe në fund të vitit u arrit 6,6 përqind. Për shkak të krizës ekonomike, ky ishte niveli më i ulët i zhvillimit ekonomik, të arritur që prej 30 vjetësh në Kinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme