Kina sot njoftoi se shpall të pavlefshme pasaportat e shtetasve britanikë jashtë vendit (BNO).
“Kina nuk do të njohë më të ashtuquajturat pasaporta BNO si dokumente të vlefshme udhëtimi dhe certifikata identiteti, duke filluar nga 31 janari”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian në një konferencë për media në Pekin.
Kjo masë erdhi pasi Britania e Madhe njoftoi lëshimin e vizave speciale për BNO për qytetarët e Hong Kongut nga e diela, duke u lejuar atyre të jetojnë dhe punojnë në vend si dhe të aplikojnë për shtetësinë britanike.
“Pavarësisht nga fakti se kanë kaluar 24 vjet që kur Hong Kongu u kthye në tokën mëmë (Kinë), Britania e Madhe ka shkelur qartë angazhimin e saj duke vendosur politikën e BNO-së, e cila përpiqet të kthejë një numër të madh të qytetarëve të Hong Kongut në shtetas britanikë të ‘klasit të dytë'”, citoi e përditshmja kineze “Global Times”, zëdhënësin Zhao.
Kryeministri britanik, Boris Johnson sot në një deklaratë tha: “Jam jashtëzakonisht krenar që kemi hapur këtë rrugë të re për banorët e Territorit Britanik nga Hong Kongu për të jetuar, punuar dhe për të bërë shtëpinë e tyre në vendin tonë”.
Hong Kongu ishte koloni britanike deri në vitin 1997 ndërsa tani është një territor gjysëm-autonom i Kinës, shkruan AA
“Truket britanike të BNO-së shkelin rëndë sovranitetin e Kinës, ndërhyjnë në Hong Kong dhe punët e brendshme të Kinës dhe shkelin rëndë ligjin dhe normat ndërkombëtare”, tha zëdhënësi Zhao.
Si përgjigje ndaj Kinës e cila imponoi ligjin e sigurisë kombëtare në rajonin gjysmë-autonom korrikun e kaluar, Britania paralajmëroi fillimin e skemës së re të vizave, e cila do të hyjë në fuqi këtë të dielë, duke u mundësuar qytetarëve të Hong Kongut të marrin shtetësinë britanike.
“Duke vepruar kështu, ne kemi respektuar lidhjet tona të thella historike dhe miqësisë me banorët e Hong Kongut dhe jemi ngritur në këmbë për lirinë dhe autonominë – vlera të cilat konsiderohen në Britani dhe Hong Kong”, theksoi më tej Johnson.
Në vitin 1987, Britania e Madhe krijoi BNO-në si një status të veçantë, posaçërisht për Hong Kongun.
Pas trazirave dhe protestave anti-qeveritare të vitit 2019, Kina zbatoi një ligj të ri të diskutueshëm të sigurisë në korrik të vitit 2020, duke nxitur kritika ndërkombëtare./arbresh.info/
Gjermanët paralajmërojnë tifozët: Kujdes në Beograd, droga d...
Koalicionit AAK-Nisma i bashkohet ‘Lista Ideali’
Driloni flet për largimin e Edit dhe miqësinë me të
Kryebashkiakja e Durrësit në pesëvjetorin e tërmetit: Rindër...
Kumbaro ndan artikullin e “El Periódico” për Shqipërinë: Jo ...
Rita Ora feston sot ditëlindjen e 34-të