Google ADS

Kina raporton vdekjen e tretë nga virusi misterioz

17:27 | 20 Janar 2020
Arbresh Info

Gjatë fundjavës janë konfirmuar 136 raste të reja, duke çuar në 198 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar

Kina ka raportuar për vdekjen e tretë nga një virus i ri i zbuluar ndërsa ka konfirmuar 136 raste të reja.

Autoritetet shëndetësore në provincën Wuhan njoftuan se një pacient kishte vdekur të shtunën dhe se këtë ditë janë konfirmuar 59 raste të reja ndërsa 77 të tjera janë konfirmuar të dielën. Kështu, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara u rrit në 198, ka bërë të ditur e përditshmja lokale “South China Morning Post”.

Për herë të parë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar tre raste jashtë provincës Wuhan.

Sipas Komisionit Kombëtar Shëndetësor të Kinës, dy raste u raportuan në kryeqytetin Pekin dhe një në Shenzhen në juglindje të Kinës në kufi me Hong Kongun.

Virusi, i cili shkakton simptoma të ngjashme me pneumoninë, ka përhapur frikën në publik pasi vendi më i populluar në botë përgatitet për festën e Vitit të Ri Lunar kur qindra miliona njerëz do të udhëtojnë nëpër të gjithë vendin.

Megjithatë, nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Kinë kanë thënë se përhapja e sëmundjes është “e parandalueshme dhe e kontrollueshme”.

Nuk bëhet fjalë për virusin e Sindromit të Rëndë Akut Respirator (SARS), i cili vrau më shumë se 700 njerëz në të gjithë botën në vitet 2002-03 kur filloi të përhapet në Kinë, thuhet në një deklaratë nga kjo qendër.

Të enjten Kina konfirmoi vdekjen e dytë nga virusi në provincën Wuhan, ndërsa vdekja e parë u raportua më 11 janar.

Përveç Kinës, dy raste të virusit janë raportuar në Tajlandë dhe një në Japoni.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se autoritetet kineze besojnë se koronavirusi i ri nga familja vdekjeprurëse e viruseve SARS (Sindromit të Rëndë Akut Respirator) dhe MERS (Sindromi Respirator i Lindjes së Mesme), mund të jenë shkaku i rasteve misterioze të pneumonisë, raportoi revista mujore Scientific American.

“Koronaviruset janë një familje e madhe virusesh që variojnë nga ftohja e zakonshme deri te SARS. Disa shkaktojnë sëmundje më pak të rënda, disa më të rënda. Disa barten me lehtësi nga një person në tjetrin, ndërsa të tjerat jo”, ka thënë OBSH-ja./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme