Kina ka publikuar një dokumentar të ri lidhur me gatishmërinë e ushtrisë së saj për të sulmuar Tajvanin.
Në këtë dokumentar janë shfaqur ushtarët duke bërë betimin për të dhënë jetën e tyre nëse është e nevojshme, përderisa Pekini vazhdon të ashpërsojë retorikën ndaj ishullit vetëqeverisës.
“Ndjekja e ëndrrave”, një dokumentar me tetë pjesë, u transmetua nga transmetuesi shtetëror CCTV më herët gjatë kësaj jave për të shënuar 96-vjetorin e Ushtrisë Popullore Çlirimtare.
Në të u shfaqën stërvitjet ushtarake dhe dëshmitë e dhjetëra ushtarëve, disa prej të cilëve shprehën vullnetin e tyre për të vdekur në një sulm të mundshëm kundër Tajvanit.
Kina pretendon se Tajvani – një demokraci vetëqeverisëse – është pjesë e territorit të saj dhe do të pushtohet edhe me forcë, nëse është e nevojshme.
Media shtetërore dhe ushtria kineze shpesh publikojnë materiale propaganduese, duke shfaqur modernizimin e ushtrisë, por edhe stërvitjet ushtarake.
Këto materiale përdoren për të rritur nacionalizmin kinez dhe për të shfaqur besimin e ushtrisë kundër Tajvanit, dhe në mënyrë implicite, raportet e ishullit me Shtetet e Bashkuara.
SHBA-ja nuk e njeh Tajvanin si shtet sovran, por është zotuar se do ta ndihmojë ishullin që të mbrojë veten në rast të një pushtimi.
Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi për një paketë të ndihmës ushtarake për Tajvanin në vlerë prej 345 milionë dollarësh. Ky vendim u kritikua nga Pekini.
Dokumentari “Ndjekja e Ëndrrave” shfaqi, mes tjerash, stërvitjet ushtarake të quajtura “Shpata e Përbashkët”, në të cilat u simuluan goditjet precize ndaj Tajvanit. Këto stërvitje u mbajtën në prill rreth ishullit vetëqeverisës pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen, vizitoi SHBA-në.
Në dokumentar janë shfaqur edhe tri anijembajtëse kineze duke lundruar me disa luftanije të tjera.
Ushtria kineze muajve të fundit ka dërguar luftanije në Ngushticën e Tajvanit, që janë parë si kërcënim ndaj Tajvanit. Po ashtu, ushtria ka kaluar vijën ndarëse në këtë ngushticë dhe zonën joformale të demarkacionit mes dy shteteve, shpesh për të kundërshtuar ndërveprimet mes Tajvanit dhe SHBA-së./Rel/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...