Kina pësoi dëme në vlerë të 3.3 miliardë dollarë nga katastrofat natyrore këtë vit

12:03 | 13 Prill 2024
E.K

Vërshimet, thatësirat, një tërmet dhe moti i ftohtë në Kinë kanë shkaktuar humbje në këtë shtet në vlerë të rreth 3.3 miliardë dollarëve në çerekun e parë të vitit, ka thënë të shtunën Qeveria kineze.

Ministria për Menaxhim të Emergjencave e ka cituar dëmin e shkaktuar nga klima e ftohtë, më pas nga një tërmet 7.1 shkallësh i Rihterit në rajonin veriperëndimor Ksinjiang, rrëshqitjet e dheut në provincën Junan dhe vërshimet në Lumin e Verdhë.

Si pasojë e këtyre ndryshime kanë vdekur 79 njerëz, 110.000 të tjerë kanë pasur nevojë urgjente për shpërngulje, ndërsa në total 10.4 milionë njerëz janë prekur në ndonjë formë, ka thënë ministria.

Në mesin e katastrofave tjera natyrore janë përfshirë edhe thatësira në disa rajone dhe zjarret pyjore në jugperëndim dhe jug të shtetit.

Humbjet shtetërore në vitin e kaluar nga katastrofa të ngjashme kanë kapur vlerën e 47.7 miliardë dollarëve.

Kjo ministri pati thënë në janar se planifikon nisjen e një fushatë trevjeçare për të përmirësuar përgjigjen e shtetit ndaj katastrofave natyrore dhe aksidenteve, përfshirë rritjen e sigurisë në disa sektorë siç janë minierat./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme