Kina ndalon të gjitha transaksionet në kriptovaluta

20:56 | 24 Shtator 2021
A. B.

Banka qendrore e Kinës ka thënë sot se të gjitha transaksionet financiare me kriptovaluta janë të jashtëligjshme, ne një fushate eliminimi ndaj veprimeve me valutat e paqëndrueshme dixhitale.

Agjencitë perëndimore thonë se vlerat e kriptovalutave përfshi dhe Bitcoin, janë luhatur shumë vitin e fundit pjesërisht prej shtrëngimit të rregullave në Kinë, ku autoritetet përpiqen të parandalojnë spekulimet dhe pastrimin e parave.

“Aktivitetet me valuta virtuale janë aktiviteteve financiare të jashtëligjshme”, tha sot në një deklaratë online Banka Popullore e Kinës duke shtuar se shkelësit “do të hetohen për përgjegjësi kriminale sipas ligjit në fuqi”.

Njoftimi ndalonte të gjitha aktivitetet financiare me kriptovaluta tregtimi i tyre, shitja e kuponave, veprime me derivativat e tyre ose mbledhja ilegale e fondeve.

Bitcoin, i cili kishte nisur një rënie në vlerë që para njoftimit në Kinë, ra me 8.9 përqind në vlerën $41,019 në tregtimet në Evropë.

Banka qendrore kineze tha se tregtimet e fundit me Bitcoin dhe valuta të tjera virtuale ishin përhapur shumë, duke trazuar rendin ekonomik e financiar, si deh duke shtuar pastrimin ilegal të parave, skemat piramidale të mashtrimit dhe aktivitete të tjera kriminale.

Banka shtonte se kjo “rrezikon seriozisht sigurinë e aseteve financiare të popullit”.

Bitcoin, monedha më e madhe virtuale e botës, nuk mund të gjurmohet nga bankat qendrore të vendit, prandaj as nuk mund të rregullohet prej tyre.

Analistët thonë se ndalimi i kriptomonedhave të huaja nga Kina mund të sjellë lindjen e valutës vetë kineze dixhitale, e cila mund të monitorohet nga autoritetet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme